Miletiq: Deputetët serbë nuk do të votojnë për FAK-un

Petar Miletiq thotë se deputetët serbë nuk do të votojnë për FAK-un nëse nuk ndodhin “disa ndryshime”. Deputeti Enis Kervan thotë se do të votojë në favor të themelimit të FAK-\'ut. Deputetet Duda Balje dhe Emilija Rexhepi ende nuk kanë vendosur.

Lajme

28/04/2014 21:53

Petar Miletiq, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, ka thënë për Radio Kosova 2 se deputetët serbë nuk e kushtëzojnë transformimin e FSK-së në FAK, por, aktualisht ata janë kundër formimit të FAK-ut

“Në asnjë moment komuniteti serb nuk e ka kushtëzuar transformimin FSK-së në FAK me vende të rezervuara. Këto janë spekulime në media. Unë edhe sot në kryesi kam thënë që ne jemi kundër formimit të FAK-ut për arsye që në dy javët e fundit, e deri sot, me ne askush nuk ka folur për këtë çështje”, ka thënë Miletic.

Ai ka thënë se deputetët serbë nuk do të votojnë për FAK-un në këtë moment, nëse nuk ndodhin “disa ndryshime” gjatë ditëve në vijim.

Enis Kervan, anëtar i kryesisë nga partia turke KDTP ka thënë se ai personalisht do të votoj’ për FAK-un, sepse krijimi i këtyre forcave është në dobi të të gjitha komuniteteve.

Deputetët nga radhët e boshnjakëve, Duda Balje dhe Emilija Rexhepi thanë që ende nuk kanë vendosur, por se do të merret parasysh prioriteti i minoriteteve, që janë vendet e rezervuara.

Për FAK-un pritet të votohet në seancën e 5 majit. Për miratimin e amendamenteve për themelimin e FAK-ut, duhen 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend, si dhe 2/3 e votave të deputetëve nga radhë e pakicave.