Kuvendi shpërbëhet javën tjetër

Një zyrtar i PDK-së, ka deklaruar se Kuvendi do të shpërbëhet javën tjetër, pasi këtë javë së bashku me vazhdimin e mandatit të EULEX, do të votohet për Gjykatën Speciale dhe për një sërë ligjesh.

Lajme

21/04/2014 09:22

Kuvendi i Kosovës nuk pritet të shpërndahet këtë javë, pasi paraprakisht të mërkurën përveç votimit për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, do të votohet edhe për themelimin e Tribunalit.

Kështu ka deklaruar një zyrtar i lartë i PDK-së, i cili thotë se ka një marrëveshje në mes të Thaçit dhe Mustafës që shpërbërja e Kuvendit të bëhet me 2/3 e votave, por se kjo gjë ka gjasa të ndodhë javën e ardhshme.

“Ekziston një marrëveshje në mes Thaçit dhe Mustafës që Kuvendi të shpërbëhet me 2/3 e votave të deputetëve që edhe do t’i marrë. Por kjo vështirë se mund të ndodhë gjatë kësaj jave, pasi që të mërkurën do të votohet për Tribunalin dhe mandatin e EULEX-it, pastaj të enjten do të aprovohen disa ligje që ndërlidhen me këtë çështje dhe tek të premten pasi të kryhen këto punë, liderët politikë do të vendosin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka thënë ky zyrtar i PDK-së, i cili ka vendosur të që të flas në kushte anonimiteti, raporton Zëri.