Demaçi: Tribunali është dëmshme për Kosovën dhe aleatët tanë perëndimorë
Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka deklaruar se themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e dëmshme për Kosovën dhe për aleatët e saj, amerikanët dhe evropianët.
Lajme
Demaçi, i cili gjatë luftës ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cilëson të dëmshme këtë gjykate, sepse gjithçka që ka thënë Dick Marty, sipas tij janë trillime të Serbisë.
“Shikoni, unë krejt këto punë i shikoj me një sy tjetër fare. Sa vjet qëndroi këtu EULEX-i, me krejt të drejtat e veta për të burgosur kë të dojë, të dënojë kë të dojë!? Nuk i mjaftuan kaq vjet të hapë hetime për kë ka dashur, për kë ka pasur dyshime. Krejt kësaj nuk po i vjen era bash mirë”, ka thënë Demaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Mua po më duket se miqtë tanë, siç po u them këtyre të Evropës, Evropa, nëna jonë e madhe, dhe miqtë tanë tradicional amerikan, nuk po e kuptojnë këtë popullin tonë. Nuk po kuptojnë që kjo po krijon tek populli ynë do farë sikletesh që ata prej zyrave të tyre nuk munden me i pa e as me i dëgjua”.
“Pati mjaft kohë për me hapë hetimet. A nuk po u mjaftojnë hala ato fjalët e Dick Martyt që i u folën në Këshillin e Evropës, është një çudi e madhe, nga i erdhën atij ato informata. Ato informata i ka dhe i vijnë prej Serbisë. Hala po na shkarravitë bota dhe po përpiqet të na shkarravisë ende”, ka thënë ndër të tjera Demaçi.