“9 vite pa përgjegjësi – ata që sot udhëheqin me shtetin e sulmuan Kuvendin” – Deputetët kërkojnë drejtësi për sulmin me zollë
Dje, më 5 gusht janë bërë 9 vjet nga sulmi me zollë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës – një ngjarje që u shënua si një ndër më të rëndat në historinë e shtetit dhe që, sipas deputetëve e ish-deputetëve vazhdon të mbetet një plagë e hapur për drejtësinë, demokracinë dhe sigurinë institucionale. Ngjarja e…

Lajme
Dje, më 5 gusht janë bërë 9 vjet nga sulmi me zollë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës – një ngjarje që u shënua si një ndër më të rëndat në historinë e shtetit dhe që, sipas deputetëve e ish-deputetëve vazhdon të mbetet një plagë e hapur për drejtësinë, demokracinë dhe sigurinë institucionale.
Ngjarja e ndodhur më 5 gusht 2016, vetëm pak ditë para se Kuvendi të diskutonte për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, jo vetëm që shkaktoi dëme të mëdha materiale, por u interpretua si përpjekje për të frikësuar e destabilizuar procesin politik të vendit.
Tani që u bën nëntë vite nga kjo ngjarje, deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë folur për lajmi.net, duke bërë thirrje për drejtësi dhe për ndëshkimin e autorëve të këtij sulmi të cilësuar si akt terrorist.
Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se kjo ngjarje mbetet ende pa përgjigje përfundimtare dhe ka lënë një “shije të hidhur” për institucionet e drejtësisë.
“Ka qenë një ngjarje me mesazh brenda. Askush s’është frikësuar, por debatet, analizat kanë vazhduar e vazhdojnë akoma. Ata që janë përgjegjës për ta ndriçuar si vepër penale kriminale apo si akt terrorist, s’kanë dhënë përgjigje përfundimtare përmes organeve të drejtësisë”, u shpreh ai për lajmi.net
Ai tutje tha se drejtësia dhe organet ligjzbatuese duhet ta thonë fjalën e tyre, t’i vendosin ata para drejtësisë.
“Spekulimet e llafomania e kuazi specialistëve ka krijuar mjegullnajë në opinion. Drejtësia dhe organet ligjzbatuese duhet ta thonë fjalën e tyre. Kushdo që e ka bërë ka kryer krim të rëndë e të dënueshëm nga opinioni e ligji! Moszbulimi i kësaj ngjarje lë shije të hidhur për organet hetimore, prokuroriale dhe gjyqësore,” tha Haliti.
E të njëjtit mendim ishte edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ku e cilësoi sulmin si të papranueshëm dhe kërkoi që autorët të ndëshkohen.
“Sot pikërisht 9 vite nuk ka qenë gjendja e mirë sepse të sulmohet institucionet e Kosovës, të sulmohet institucioni ligjvënës në Republikën e Kosovës, të sulmohet në këtë rast nga një parti politike ka qenë e pakutueshme. Përgjegjësinë e mbajnë ata që e kanë kryer këtë punë, këtë veprim – ata që sot udhëheqin me shtetin. Organet e drejtësisë është dashtë me qenë më vigjilente, më aktive në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të dënohen dhe jo një sulm i tillë të anashkalohet në këtë far forme”, u shpreh ajo.
Kadrijaj thotë se pavarësisht që kanë kaluar 9 vite, ata që kanë organizuar, ata që kanë urdhëruar duhet të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi për këtë sulm terrorist.
“Dhe sot, 9 vite, ne nuk kemi përgjegjësin apo dikë që është përgjegjës për këtë sulm ose që është dënuar për këtë sulm. Mendoj që, pavarësisht që kanë kaluar 9 vite, ata që kanë organizuar, ata që kanë urdhëruar duhet të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi për këtë sulm terrorist,” u shpreh Kadrijaj për lajmi.net.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cilësoi sulmin si një ndër ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në historinë e institucioneve të Kosovës, duke theksuar se demokracia duhet të mbrohet çdo ditë.
“Sot, më 5 gusht, kujtojmë një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e institucioneve të Kosovës – sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Republikës, që ndodhi në vitin 2016. Ai ishte një akt i papranueshëm dhune, një sulm ndaj demokracisë, rendit kushtetues dhe vetë sovranitetit të popullit të Kosovës. E kujtoj si një moment shumë të rëndë, ku u prek thelbi i përfaqësimit tonë si deputetë dhe përfaqësues të qytetarëve”, tha Deliu për lajmi.net
Deliu tha se përgjegjësia për një krim të tillë duhet të vendoset pa mëdyshje dhe se ky sulm na kujton se demokracia nuk është dhuratë, ajo duhet të mbrohet përditë, me ligj, drejtësi dhe përkushtim.
“Drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa asnjë ndikim dhe të vendosë drejtësi të plotë, për hir të së vërtetës dhe për të ardhmen e sigurt të vendit tonë. Përgjegjësia për një akt të tillë duhet të jetë e qartë dhe e plotë – ndaj organizatorëve, zbatuesve dhe çdo kujt që qëndroi pas këtij sulmi. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa asnjë ndikim dhe të vendosë drejtësi të plotë, për hir të së vërtetës dhe për të ardhmen e sigurt të vendit tonë. Përgjegjësia për një krim të tillë duhet të vendoset pa mëdyshje. Ky sulm na kujton se demokracia nuk është dhuratë, ajo duhet të mbrohet përditë, me ligj, drejtësi dhe përkushtim,” tha Deliu-Kodra.
Nëntë vjet më pas, ngjarja mbetet ende e pazbardhur përfundimisht dhe pa përgjegjësi konkrete. Deputetët kërkojnë që drejtësia të mos heshtë më dhe që autorët e sulmit ndaj institucionit më të lartë të vendit të përballen me ligjin.
Kujtojmë se më 30 gusht të vitit 2016, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se në lidhje me rastin janë arrestuar gjashtë aktivistë, të gjithë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./Lajmi.net/