9 raste të fruthit në Kosovë brenda pak ditëve

Nëntë raste të fruthit raportohet të jenë lajmëruar në Kosovë brenda disa ditëve. Kjo është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku theksohet se nga data 5 deri më 13 maj në Kosovë u raportuan 9 raste të fruthit. Këto raste ishin katër në Ferizaj, dy raste në Shtime dhe nga një…

Lajme

14/05/2025 15:33

Nëntë raste të fruthit raportohet të jenë lajmëruar në Kosovë brenda disa ditëve.

Kjo është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku theksohet se nga data 5 deri më 13 maj në Kosovë u raportuan 9 raste të fruthit.

Këto raste ishin katër në Ferizaj, dy raste në Shtime dhe nga një rast në Lipjan, Graçanicë dhe në Fushë- Kosovë, transmeton lajmi.net.

Grup-moshat e prekura janë 7 raste të moshës 1 deri në 2 vjeç dhe dy raste të moshës 4-5 vjeç.

Njoftimi i plotë:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë. Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç.

Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).

IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të “importuara”, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit.

IKSHPK u rikujton prindërve se Fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje.

Më të rrezikuarit nga fruthi janë fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5 vjeçe.

Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në njësitë e vaksinimit në QKMF të komunës së tyre.

Vaksina kundër Fruthit (MMR) jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçe.

Kjo vaksinë është në përdorim prej më shumë se 60 vjetësh dhe se është e sigurt dhe efektive. Të dhënat shkencore kanë dëshmuar se 2 doza të vaksinës ofrojnë rreth 100% mbrojtja nga fruthi.

IKSHPK u rikujton institucioneve parashkollore dhe atyre shkollore detyrimin për zbatimin e Qarkores Informuese Nr. 05/2005 për Informimin e prindërve për vaksinimin e obliguar të fëmijëve, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga inspektoratet përkatëse./Lajmi.net/