88 noterë të rinj nisin punën, vlerësohet se ka nevojë për më shumë
Kërkesave të vazhdueshme të komunave për noterë të rinj, iu dha një përgjigje. 88 noterë të emëruar së fundmi do të nisin ushtrimin e detyrës së re të tyre që nga kjo e hënë, të shpërndarë në komunat e vendit. Një prej tyre që punën do ta zhvillojë në kryeqytet është edhe Anduena Gashi-Shehu, e…

Lajme
Kërkesave të vazhdueshme të komunave për noterë të rinj, iu dha një përgjigje.
88 noterë të emëruar së fundmi do të nisin ushtrimin e detyrës së re të tyre që nga kjo e hënë, të shpërndarë në komunat e vendit.
Një prej tyre që punën do ta zhvillojë në kryeqytet është edhe Anduena Gashi-Shehu, e cila vlerëson se shtimi i numrit të noterëve do të sjellë përfitime për qytetarët.
“Si juriste e kam pëlqyer gjithmonë profesionin e noterisë dhe me qenë pjesë e Odës së Noterëve. Është ndër profesionet më të mira të fushës juridike por edhe për gratë. Jam licencuar sot. Përgjatë këtyre viteve ka pasur jashtëzakonisht shumë mungesë për zyrën noteriale. Kërkesat janë rritur shumë kështu që çdo komunë ka pasur nevojë për noterë. Besoj që me këtë numër do të plotësohen kërkesat”, deklaroi Anduena Gashi-Shehu.
E, mendim të njëjtë nuk ndajnë në Institutin e Kosovës për Drejtësi të cilët vlerësojnë se ka nevojë për më shumë noterë.
“Para se të emërohen këta noterë kemi pasur mungesë të jashtëzakonshme dhe kësaj qeverie i është dashur të kalojnë më shumë se 4 vite mandat që të përfundojnë procesin e rekrutimit. Duke u bazuar në atë që është zhvilluar, ka nevojë ende për noterë sepse është nevoja dhe ajo çka parashihet me ligj, 1 noterë për 10 mijë banorë. Deri të arrihet ky standard, mund të themi që kemi mjaftueshëm”, deklaroi Fatlum Kabashi, Hulumtues në IKD
E dëmi më i madh gjatë kësaj periudhe, sipas Kabashit, u është bërë qytetarëve.
“Dëmi është bërë te palët kontraktuale. Tek palët që duan të përfundojnë proces trashëgimie, tek palët për çështje të pronave, autorizimeve të ndryshme, këtu ka lind problemi dhe ka qenë ndikimi më i madh për keq që ka bërë mungesa e noterëve. Janë procese problematike por s’janë procese që nuk mund të kryhen në një vit ose më pak”, deklaroi Fatlum Kabashi, Hulumtues në IKD.
Konkursi i fundit për noterë është shpallur në vitin 2019, por që ishte anuluar nga Ministrja e Drejtësisë një vit më vonë pas dyshimeve për keqpërdorim.
Nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje për televizionin rreth numrit paraprak të noterëve dhe efektit të angazhimit të noterëve të rinj. Por, bazuar në një përgjigje të vitit 2023 të MD-së, para 88 noterëve të rinj, këtë detyrë e ushtronin 54 noterë, ndërsa 16 komuna kishin mungesë të tyre./Dukagjini