Konfirmon Policia: Një 26-vjeçare është lënduar me gur teksa po udhëtonte me tren
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rasti ku një person është lënduar si pasojë e goditjes me një gur, teksa po udhëtonte me tren. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se viktima që është një 26-vjeçare, dhe ka pësuar lëndime në pjesën e kokës. “Rreth orës 17:15, është pranuar…

Lajme
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rasti ku një person është lënduar si pasojë e goditjes me një gur, teksa po udhëtonte me tren. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se viktima që është një 26-vjeçare, dhe ka pësuar lëndime në pjesën e kokës.
“Rreth orës 17:15, është pranuar informata se, në afërsi të fshatit Grabovc, një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes me një gur.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku sipas të dhënave fillestare, viktima, femër, 26 vjeç, ka pësuar lëndime në pjesën e kokës, dyshohet si pasojë e një guri të hedhur në rrethana ende të panjohura nga pjesa e jashtme e trenit, në momentin kur ai ishte në lëvizje”, tha ai.
Tutje, ai njoftoi se 26-vjeçarja ka pranuar tretman mjekësor ndërsa është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKMF, në Drenas.
“Në vendin e ngjarjes, mjeket emergjent, i kanë ofruar viktimës ndihmën mjekësore dhe më pas të njëjtën e kanë transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKMF, në Drenas. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve dhe fton qytetarët që posedojnë informacione të dobishme për këtë rast, të lajmërojnë Policinë përmes linjës emergjente 192, apo aplikacionit Lajmëro Policinë”, tha Borovci.