8 vjet pas | Autostrada Prishtinë–Gjilan: Projekti që kaloi nëpër gjashtë qeveri dhe ende s’u përfundua

Makineritë e rënda qëndrojnë të fikura në disa pjesë të rrugës, ndërsa toka e gërryer, dheu i rrëshqitur dhe balta tregojnë se ka ende shumë punë në ndërtimin e autostradës Prishtinë–Gjilan-Dheu i Bardhë. Ndërtimi i saj nisi në prill të vitit 2018, me premtimin se do të përfundohej brenda 30 muajsh. Por, sot pas tetë…

Lajme

27/10/2026 11:51

Makineritë e rënda qëndrojnë të fikura në disa pjesë të rrugës, ndërsa toka e gërryer, dheu i rrëshqitur dhe balta tregojnë se ka ende shumë punë në ndërtimin e autostradës Prishtinë–Gjilan-Dheu i Bardhë.

Ndërtimi i saj nisi në prill të vitit 2018, me premtimin se do të përfundohej brenda 30 muajsh. Por, sot pas tetë vitesh autostrada prej 47.1 kilometrash duket larg përfundimit.

Madje punimet nuk kanë përfunduar ende as në segmentin e parë prej 22.31 kilometrash nga Banulla e Lipjanit deri në Bresalc të Gjilanit.

Kur Radio Evropa e Lirë vizitoi punimet e kësaj rruge, më 14 tetor, nuk u vërejt asnjë makineri duke punuar.

Në terren punonin vetëm pak punëtorë. Disa vendosnin mbrojtëse anësore të rrugës në njërin nga segmentet e asfaltuara, dy të tjerë i lidhnin gypat për kabllot elektrike, ndërsa një punëtor largonte me lopatë copa asfalti nga rruga.

Në tetë vjet, autostrada ka mbetur e papërfunduar, pavarësisht ndërrimit të gjashtë qeverive me mandate të ndryshme. Gabimet në projektim, problemet me shpronësimet dhe parregullsitë në zbatimin e kontratave e kanë shoqëruar ndërtimin, ndërsa afatet janë shtyrë vazhdimisht dhe kostoja e parashikuar është më shumë se dyfishuar.

8 vjet pas, në cilën fazë janë punimet?
Premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan ka kaluar nga një qeveri te tjetra, duke u shoqëruar me afate të reja për hapjen e saj.

Në nëntor të vitit 2021, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, premtonte se autostrada do të përfundonte brenda mandatit të qeverisë Kurti II, e cila kishte marrë detyrën në mars të atij viti. Dy vjet më pas, në korrik të 2023, kryeministri Albin Kurti u zotua se rruga do të hapej atë vit, ndërsa disa muaj pas, në janar 2024, e përfshinte sërish mes projekteve që do të përfundonin atë vit.

Me gjithë zotimet, në dhjetor të vitit 2025, ministri i atëhershëm në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një takim me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kishte njoftuar se kishin shkëputur kontratat me kompanitë për katër lote të rrugës për shkak të zvarritjes së punimeve. Lotet janë pjesët në të cilat është ndarë segmenti Banullë-Bresalc për ndërtim dhe gjithsej janë tetë.

Durmishi dha një afat të ri.

“Nga data kur nënshkruhen kontratat deri në datën e vitit të ardhshëm, kjo rrugë do të jetë e lëshuar për qarkullim”, kishte thënë Durmishi.

10 muaj pas nga ajo deklaratë, kontratat e reja me punëkryesit ende nuk janë lidhur dhe në katër prej tetë loteve të autostradës nuk është duke u punuar fare.

Përfundimi i punimeve nuk varet vetëm nga lidhja e kontratave të reja. Në katër lotet ku ka ngecur puna, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, fillimisht duhet të rishikohet vetë projekti.

Zëvendësministri aktual i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Zef Morina i tha Radios Evropa e Lirë se lotet 1, 2, 3 dhe 8 janë drejt përfundimit . Ndërkaq, brenda këtij viti synojnë ta bëjnë riprojektimin për lotet 4, 5, 6 dhe 7 dhe rihapjen e tenderit për kryerjen e punimeve.

“Këto janë katër lotet kryesore, të cilat janë mbrapa me ecurinë e punimeve, këto ne duhet t’i rishpallim – ta bëjmë riprojektimin edhe ta bëjmë rishpalljen e tenderit”.

Çfarë probleme pati projekti fillestar dhe pse ato mbeten pengesë edhe tetë vjet pas?
Vonesat në ndërtimin e autostradës kanë nisur shumë përpara shkëputjes së kontratave në vitin 2025. Zyrtarë aktualë e të mëparshëm të Ministrisë së Infrastrukturës përmendin një varg problemesh që e kanë shoqëruar projektin deri te shpronësimet e pazgjidhura.

Sipas zëvendësministrit Morina, projekti kishte gabime që në dizajnim të tij krejt në fillim, ndërsa gjatë ndërtimit ndër vite pati rrëshqitje të dheut që bllokuan pjesë të rrugës, duke vonuar përfundimin e autostradës.

Probleme të ngjashme përmend edhe ish-ministri i këtij dikasteri, Liburn Aliu.

“Problemet e përgjithshme, aq sa e mbaj mend, kanë qenë edhe çështja e dizajnit, edhe probleme me shpronësim, edhe probleme teknike që na kanë dalë pastaj”, tha Aliu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në disa pjesë të rrugës janë bërë korrigjime të projektit për shkak të shembjeve.

Ai përmendi edhe ndikimin e pandemisë COVID-19 dhe luftës së Rusisë në Ukrainë në rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit, duke theksuar se kontratat ishin nënshkruar më herët dhe bazoheshin në çmimet e atëhershme.

Ndërkaq, procedurat për shpronësimin e pronave përgjatë trasesë së autostradës ende nuk kanë përfunduar. Më 30 shtator 2026, Qeveria miratoi kërkesën për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme në segmentin Banullë–Bresalc, çka tregon se çështjet pronësore vazhdojnë të trajtohen tetë vjet pas nisjes së punimeve.

Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, procesi i shpronësimit të pronave në këtë segment është në fazën e vlerësimit të pronave, para miratimit të vendimit përfundimtar nga Qeveria.

Dyfishimi i kostos dhe pagesa për punë që nuk u kryen
Kur nisi ndërtimi në vitin 2018, autostrada ishte paraparë të kushtonte rreth 88 milionë euro. Tetë vjet më vonë, ajo ende nuk ka përfunduar ndërsa vlera e parashikuar e projektit është më shumë se dyfishuar.

Sipas ligjit për ndarje buxhetore për vitin 2026, vlera totale parashikohet të shkojë në 183,7 milionë euro. Deri në fund të vitit 2025, për projektin ishin shpenzuar rreth 50.2 milionë.

Krahas vonesave, ndryshimeve të afateve dhe rritjes së kostos, pati probleme edhe me menaxhimin e kontratave dhe mbikëqyrjen e punimeve.

Ndër vite, auditorët kanë identifikuar punë shtesë për shkak të gabimeve në projektim, ndryshime të kontratave pa miratimet e nevojshme dhe tejkalime të afateve. Në disa raste, ministria ka paguar për punë që nuk ishin përfunduar fare.

Në vitin 2020, auditori gjeti se gabimet në projekt kishin krijuar nevojë për mbi 600 mijë euro punë shtesë në lotin 3. Ndërkohë, punë me vlerë mbi 64 mijë euro ishin kryer pa aneks-kontratë ndërsa projekti nuk ishte përfunduar brenda afatit, që skadonte në gusht të atij viti.

Mangësitë në projektim sollën punë shtesë edhe në lotin 4. Në vitin 2021, për to u nënshkrua një aneks-kontratë prej 867 mijë 733 eurosh për punë shtesë. Deri në fund të atij viti, ishte realizuar vetëm 68 për qind e vlerës së kontratës.

Në vitin 2022, në lotin 1 u ndryshuan pozicione të kontratës në vlerë prej 114 mijë e 55 eurosh, pa miratim paraprak dhe pa njoftuar ministrinë.

Ky lot nuk përfundoi as në vitin 2024, ndonëse kontrata e vitit 2018 parashihte afat prej 30 muajsh. Deri në fund të atij viti, ishin realizuar punë në vlerë prej 16,4 milionë eurosh.

Në vitin 2025, auditori gjeti pagesa edhe për punë të papërfunduara: mbi 39 mijë euro për 71 puseta që nuk ishin kompletuar, pasi u mungonin kapakët metalikë, si dhe mbi katër mijë euro për 15 shtylla ndriçimi që nuk ishin vendosur në terren.

Problemet me menaxhimin e kontratave dhe mbikëqyrjen e punimeve nuk janë të veçanta për këtë projekt. Albulena Nrecaj nga organizata INPO, e cila monitoron investimet kapitale dhe procedurat e prokurimit, thotë se këto janë ndër arsyet që projektet publike zvarriten ndër vite.

“Njëra ndër problemet kryesore është edhe menaxhimi i kontratave. Nuk kemi mbikëqyrje adekuate”, thotë Nrecaj për Radion Evropa e Lirë. Ajo shton se përgjegjësia për projekte të tilla duhet të kërkohet te institucionet që i kanë nisur ato.

“Përgjegjësinë ishte dashur ta mbajë ajo ministri e cila e ka sponsorizuar atë projekt”, thotë Nrecaj, duke vënë në pah edhe mungesën e llogaridhënies për projektet që trashëgohen nga një qeveri te tjetra.

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore, dhjetori i vitit 2028 është afati i parashikuar për përfundimin e autostradës Prishtinë–Gjilan. Nëse ky afat respektohet, ndërtimi i saj do të ketë zgjatur më shumë se dhjetë vjet.

Por, kjo nuk është e vetmja rrugë që pret përfundimin.

Ndërtimi i magjistrales Prishtinë–Mitrovicë nisi në vitin 2009. Deri në fund të vitit 2025, për të u shpenzuan mbi 52 milionë euro, por punimet ende nuk kanë përfunduar plotësisht.

E papërfunduar mbetet edhe rruga Prishtinë–Podujevë. Punimet në të nisën në vitin 2016 dhe deri në fund të vitit të kaluar u shpenzuan mbi 41 milionë euro.

Vonesat në këto projekte rrugore shoqërohen edhe me kritika ndaj Qeverisë Kurti për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale – mjeteve të planifikuara për rrugë, shkolla, spitale dhe infrastrukturë tjetër publike.

Sipas Nrecajt, këto rrugë janë ndër rastet më ilustrative të dështimit të qeverive për t’i realizuar projektet për shkak të mangësive që në fazën e planifikimit.

Ajo thotë se përgjegjësinë duhet ta mbajë ministria që e ka iniciuar projektin, por vlerëson se llogaridhënia në menaxhimin e financave publike është shumë e ulët.

“Kur një projekt është iniciuar nga një qeveri dhe është trashëguar nga një qeveri tjetër, atëherë kemi këtë lojën që ne në shoqërinë civile e quajmë ‘loja e pingpongut’. Hidhet faji sa nga një qeveri në tjetrën, nga një dikaster në tjetrin”, tha Nrecaj.

Ndërkohë, sipas saj, projektet mbeten të papërfunduara përtej afateve të arsyeshme dhe qytetarët privohen nga shërbimet që ato do të duhej t’u ofronin.