75 vjet Arkivi i Kosovës, ambasadori i Turqisë: Shkruani historinë tuaj, përndryshe e shkruajnë të tjerët
Në 75-vjetorin e themelimit të Arkivit të Kosovës është hapur ekspozita “Veprimtaritë arsimore në Kosovë gjatë periudhës osmane, përmes dokumenteve arkivore”. Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” është prezantuar edhe libri “Vakëfet në Sanxhakun e Nishit gjatë Perandorisë Osmane”. Këto aktivitete janë bashkëorganizim me Drejtorinë e Arkivit Shtetëror të Presidencës së Republikës së Turqisë.…
Lajme
Në 75-vjetorin e themelimit të Arkivit të Kosovës është hapur ekspozita “Veprimtaritë arsimore në Kosovë gjatë periudhës osmane, përmes dokumenteve arkivore”. Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” është prezantuar edhe libri “Vakëfet në Sanxhakun e Nishit gjatë Perandorisë Osmane”. Këto aktivitete janë bashkëorganizim me Drejtorinë e Arkivit Shtetëror të Presidencës së Republikës së Turqisë.
Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bekim Aliu tha se aktivitetet mes dy vendeve kanë ndikuar në avancimin e kapaciteteve profesionale për trajtimin e dokumenteve osmane.
“Në kuadër të bashkëpunimit me Arkivën Shtetërore të Turqisë janë zhvilluar hulumtime të rëndësishme prej nga janë siguruar mbi 100 mijë dokumente arkivore, harta dhe materiale tjera me vlerë historike për Kosovën, përfshirë regjistra të rëndësishëm osman që lidhen me vilajetin e Kosovës si dhe dokumente tjera administrative të periudhës osmane. Rezultat i këtij bashkëpunimi është botimi i veprës të autorit, profesor doktor Jusuf Osmani me titull ‘Vakëfet në Sanxhakun e Nishit gjatë Perandorisë Osmane’, e cila mbështetet tërësisht në dokumente të hulumtuara në arkivat e Turqisë, veçanërisht në frontet e arkivat osman në Stamboll dhe të Arkivit të Vakëfeve në Ankara”, tha ai.
Ky studim, sipas tij ka rëndësi të veçantë meqë trajton një temë të prekur rrallë në histografinë e vendit.
Këtë bashkëpunim e ka vlerësuar edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, i cili tha se “për ta njohur vetën duhet të njihesh përmes dokumenteve”.
“Mendoj se Agjencia juaj e Arkivave dhe historianët dhe studiuesit tuaj janë po aq të rëndësishëm sa ushtarët e FSK-së ose Policia e Kosovës. Sepse ju duhet të shkruani historinë tuaj, përndryshe dikush tjetër do të shkruajë historinë tuaj, e cila mund të mos jetë e njëjtë ose me të njëjtin perspektivë që dëshironi ta shprehni në botë. Dhe mendimi im modest, për të gjithë njerëzit e të gjitha vendeve në rajon, është e pamundur të shkruash historitë pa iu referuar arkivave të Perandorisë Osmane. Prandaj ky event, dhe seria e ngjarjeve ku më keni ftuar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse mendojmë se Kosova nuk është vetëm mik për ne, por edhe vëlla”, ka thënë ai.
Në 75-vjetorin e themelimit të Arkivave të Kosovës, zëvendëskryeshefi Mehmed Xhemajli tha se është pikënisje për të ardhmen dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Për 75 vite me radhë, Arkivat e Kosovës kanë qenë gardian i kujtesës sonë historike duke ruajtur dokumentet që dëshmojnë integritetin dhe zhvillimin dhe sfidat e shoqërisë sonë. Në dekada punë arkivore ka qenë shpesh edhe e heshtur, por me rëndësi të jashtëzakonshme që çdo dokument i ruajtur është një pjesë e historisë sonë si dëshmi për brezat që vijnë dhe një themel mbi të cilin ndërtohet edhe e ardhmja. Prania juaj sot i jep këtij përvjetori një dimension të veçantë apo dëshmon jo vetëm respektimin për këtë institucion por edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arkivave. Ekspertiza dhe bashkëpunimi janë të çmuara për ne, sidomos në kohën kur përballemi me sfida të reja si digjitalizimi dhe ruajtja e materialeve në forma të ndryshme elektronike”, deklaroi ai.
Në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, sonte do të mbahet akademi solemne ku të ftuar janë delegacione ndërkombëtare, ambasadorë dhe dokumenti akademik kulturor. Këtu do të shfaqet edhe një dokumentar me titullin “75 vjet Arkivi i Kosovës – Kujtesë, Dokument, Histori”.