65 zyrtarë policorë të suspenduar morën shtesa në vlerë mbi 55 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar të dhënat e pasqyrave financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024. Në këtë raport të ZKA-së u trajtua edhe Kompensimi i shtesave jo në përputhje me rregulloren. Sipas të dhënave nga ky raport, 65 zyrtarë policorë të suspenduar kishin marrë edhe shtesat për punët specifike, pa…

Lajme

25/06/2025 20:26

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar të dhënat e pasqyrave financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.

Në këtë raport të ZKA-së u trajtua edhe Kompensimi i shtesave jo në përputhje me rregulloren.

Sipas të dhënave nga ky raport, 65 zyrtarë policorë të suspenduar kishin marrë edhe shtesat për punët specifike, pa punuar fare.

Në vitin 2024 ato kapin shumë e 55 mijë e 550 eurove.

“Përfitues të kësaj shtese ishin edhe stafi policor i Kosovës. Ne identifikuam se shtesën e plotë për kushte specifike të punës ishin duke e marrë edhe 65 zyrtarë policor të suspenduar, bazuar në listën e pagave të ofruara nga PK edhe pse ata nuk ishin duke e ushtruar funksionin e rrjedhimisht edhe nuk kishin ndonjë rrezikshmëri. Në vitin 2024 për zyrtarët e suspenduar shtesat për kushte specifike të punës ishin në vlerë prej 55,550€, (përderisa pagën ishin duke e marrë prej 50% siç parashihet me rregullore)”, thuhet në raport.

“Sipas zyrtarëve përgjegjës kjo kishte ndodhur si rezultat i kohës së shkurtër për dërgimin e listave me personat e kualifikuar për shtesën për kushte specifike. Ne vlerësojmë se gjatë vitit nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret për të shqyrtuar çështjen e zyrtarëve policorë të suspenduar nëse edhe ata duhet të përfitonin këtë shtesë”.

Cili është ndikimi i këtyre pagesave?

– Pagesat e shtesave për kushtet specifike për zyrtarët e suspenduar dhe jo në përputhje me rregulloren ndikon në dëmtimin e buxhetit të Ministrisë dhe mund të reflektoj në de-motivimin e zyrtarëve tjerë policor të cilët përballen direkt me rrezikshmërinë e jetës gjatë punës në teren.

Çka rekomandon raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit?

– Ministri në koordinim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë duhet të sigurojnë që pagesat e shtesave për kushte specifike të punës jepen vetëm për stafin që gjatë operimit në punë ballafaqohet me rrezikshmëri siç është specifikuar në kriteret e rregullores për përfitimin e kësaj shtese.

Çka përfshijnë pagesa e shtesave për kushte specifike të punës?

– Në raportin në fjalë thuhet se Rregullorja (QRK) nr. 08/2023 Shtesat për të Punësuarit në Sektorin Publik, në nenin 6 pika 1 përcakton se Shtesa për kushte specifike të punës është shtesë mujore që përfitohet nga zyrtarët publik dhe të punësuarit e tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë së shtuar në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës që rrezikojnë jetën dhe/apo shëndetin. Kurse pika 2 e nenit 6 specifikon se kategoritë e pozitave që do ta marrin këtë shtesë duhet t’i plotësojnë kriteret si në vijim: – hetimi në teren, ku për shkak të detyrës përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrezikshmërinë e jetës gjatë punës; dhe – kryerja e detyrave në operacione të rrezikshme, të cilët për shkak të detyrës përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrezikshmërinë e jetës gjatë punës. /Klan Kosova.