6 gusht- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thirrur sot konferencë për media. Në këtë konferencë, Haxhiu njoftoi se ka vendosur që të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë do të mbahet më 6 gusht, ditë e enjte. “Kam vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve, kam…

Lajme

24/07/2026 11:08

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thirrur sot konferencë për media.

Në këtë konferencë, Haxhiu njoftoi se ka vendosur që të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë do të mbahet më 6 gusht, ditë e enjte.

“Kam vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve, kam mirëpritur ftesat për takime, e kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim për çështjen e presidentit, kam vendosur që të mos e thërras me nguti seancën për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog. Seanca do të mbahet me 6 gusht, e enjte nga ora 10”, tha Haxhiu.

Haxhiu deklaroi se duhet shmangur bllokadat dhe zgjedhjet.

Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti.

Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga data e seancës konstituive nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.

Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor – të tretat brenda një viti e gjysmë.

Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.

Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar që të pezullonte diskutimet me kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pasi në LDK ka një nismë për shkarkimin e tij nga kreu i partisë.

Më 10 korrik, Kurti u takua ndarazi me Abdixhikun dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Përderisa Hamza tha pas takimit se partia e tij do të mbetej në opozitë, Abdixhiku shprehu gatishmëri për vazhdimin e takimeve.

LDK-ja ende nuk ka njoftuar se kur do të mund të mbahej Kuvendi i partisë ku do të diskutohej për nismën për shkarkimin e Abdixhikut. Vetë Abdixhiku e ka kritikuar këtë nismë duke thënë se rrezikon që ta lërë vendin pa institucione dhe mund të nxisë zgjedhje të reja në vjeshtë.

Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.

Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh./Lajmi.net/