500 mijë vaksina në dispozicion – Sekretari i FFK-së tregon se a do vaksinohen futbollistët kosovarë
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ditë më parë njoftoi se kanë siguruar rreth 500 mijë vaksina antiCOVID-19 të kompanisë Pfizer që priten të vijnë në muajin shkurt.

Sport
Mirëpo, nuk është njoftuar se nëse lojtarët e Kosovës do i marrin këto vaksina.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net, ka kontaktuar sekretarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu.
Salihu konfirmoi se lojtarët do vaksinohen dhe FFK-ja do bëjë çmos që t’i vaksinojë lojtarët, nëse jo përmes Ministrisë së Shëndetësisë, do provojnë t’i marrin nga UEFA ose ndonjë shoqatë tjetër.
“Do konsultohem me ministren dhe dihet që ekipet tona që kanë reprezentacione dhe natyrisht që duhet me i vaksinu lojtarët, por ne do bëjmë çmos që t’i vaksinojmë lojtarët nëse s’ndodh me ministrin do provojmë edhe me UEFA-n apo ndonjë shoqatë tjetër. Por, është interes nacional që lojtarët të vaksinohen”, deklaroi fillimisht ai.
I pyetur nëse kanë pasur ndonjë kontakt me Ministrin, Salihu tha se nga nesër do bisedojnë dhe presin mirëkuptim nga ana e tyre.
“Jo, ne s’kemi bo ndonjë bisedë, por prej nesër besoj që po. Ne kemi pas mirëkuptim të jashtëzakonshëm gjithmonë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe presim prapë këtë mirëkuptim”, përfundoi ai.
Ndryshe, ministria e Shëndetësisë tashmë ka bërë të ditura kategoritë të cilat do të vaksinohen të parat me vaksinën e Pfizer kundër COVID-19.
Në bazë të planit të imunizimit, përparësi për marrjen e vaksinës do kenë personeli shëndetësor, personat mbi moshën 65 vjeçare si dhe ata me rrezikshmëri të lartë, në të cilën hyjnë personat me sëmundje kronike. /E.Bytyqi /Lajmi.net/