5 gjëra që duhet t’i bëni patjetër nëse doni të përshpejtoni rritjen e flokëve

15:08 | 18 Tetor 2021

Mundohuni t’i prisni flokët çdo 8-12 javë…

Nëse dëshironi që flokët tuaj të rriten më shpejt, atëherë duhet të dini se shumë gjëra për arritjen e këtij qëllimi i keni vetë në dorë. Më poshtë keni 5 mënyra natyrale për të përshpejtuar rritjen e flokëve dhe për të pasur flokë të gjatë dhe të shëndetshëm.

Pritini rregullisht

Nuk është sekret që prerja e shpeshtë i bën flokët të rriten më shpejt. Kjo mund të duket paradoksale, por nëse i lini pa prerë, majat rrezikojnë të ndahen në dysh dhe të këputen e si rrjedhojë vonohet rritja. Heqja e majave të dëmtuara lejon që flokët të rimarrin shëndetin dhe forcën e tyre, duke bërë që të rriten më shpejt. Mundohuni t’i prisni flokët çdo 8-12 javë.

Nxitni rritjen nga brenda

Një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar është e nevojshme për lëkurë të bukur dhe flokë të shëndetshëm. Për të nxitur rritjen e tyre, duhet të konsumojmë kryesisht ushqime të pasura me hekur, zink, proteina, vitamina dhe acide yndyrore esenciale si bishtajoret, perimet jeshile, vezët, farat, arrat dhe peshku.

Pastroni skalpin

Ashtu si lëkura në fytyrë, edhe lëkura e kokës duhet të heqë qafe grimcat e ndotjes, sebumin e tepërt, qelizat e vdekura dhe zbokthin, në mënyrë që të rigjenerohet. Një herë në javë, mundohuni të bëni një scrub për kokën në rutinën e dushit, për të hequr papastërtitë dhe për të hequr qafe produktet e tepërta në flokë. Ju mund ta bëni vetë duke përdorur kripë të trashë ose sheqer të papërpunuar, të përzier me vaj ulliri ose kokosi. Aplikojeni në rrënjë dhe masazhoni me majat e gishtave në lëvizje rrethore për disa minuta para se të lani shampon. Në fund të dushit, përfundoni duke i shpëlarë flokët me ujë të ftohtë, i cili ndihmon në mbylljen e kutikulave dhe bën që flokët të jenë me më shumë shkëlqim dhe më të hidratuar.

Masazhoni kokën

Masazhimi i kokës stimulon folikulat e flokëve, duke bërë që të dalin flokë më të trashë dhe duke inkurajuar rritjen e tyre. Të paktën 2 herë në javë, për 5-10 minuta, masazhoni të gjithë kokën me majat e gishtave, duke përdorur lëvizje rrethore. Filloni në pjesën e pasme të qafës para se të ngjiteni në majë të kokës. Masazhi mund të bëhet pa asnjë produkt ose duke përdorur një përzierje të vajrave esencialë gjallërues si pishe, limoni ose trumze. Përveçse është e mirë për flokët tuaj, kjo praktikë gjithashtu ju ndihmon të relaksoheni dhe të përqendroheni.

Bëni maska rregullisht

Maskat ushqyese janë një mënyrë e jashtëzakonshme për përshpejtimin e rritjes së flokëve. Provoni receta natyrale 1 herë në javë. /Lajmi.net/