5 arsye pse duhet të jeni pjesë e festës së rrushit në Rahovec “Hardh Fest 2015”

Festa tradicionale e vjeljes së rrushit organizohet për të 14-in vit me radhë dhe është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në komunën e Rahovecit.

Lajme

14/08/2015 18:45

Festa tradicionale e vjeljes së rrushit organizohet për të 14-in vit me radhë dhe është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në komunën e Rahovecit, thuhet në komunikatën e organizatorëve të eventit.

Që nga viti 2001, kur ka nisur rrugëtimin e vet, kjo festë ka ardhur duke u pasuruar dhe begatuar. Vizitorët e vendit dhe të huaj kanë ndarë përvoja shumë të mira dhe kanë shprehur dëshirën që të jenë pjesëmarrës në këtë festë tradicionale. Qytetarët e komunës së Rahovecit, të njohur për bujarinë dhe mikpritjen tradicionale, mirëpresin të gjithë ata që ia mësyjnë konakut të tyre në këtë festë.

Për dallim nga vitet e kaluara, kësaj radhe në organizim janë përfshirë një numër i madh entuziastësh, institucione lokale e qendrore dhe grupe e individë të shoqërisë civile. Prandaj,  organizatorët besojnë se kësaj radhe festa e vjeljes së rrushit “Hardh Fest” do të jetë më mirë e organizuar dhe më gjithëpërshirëse. Prandaj, janë disa arsye pse duhet të jeni pjesë e kësaj feste tradicionale.

Për herë të parë festivali i rrushit do të mbajë emrin “Hardh Fest”
Duke marrë për bazë faktin se gjithçka në këtë festë lidhet me hardhinë e rrushit, është vendosur që ky festival të quhet “Hardh Fest”. Festa do të zgjasë dy ditë, më 5 dhe 6 shtator. Do të ketë program të pasur artistik, ngjarje sportive e rekreative dhe risi që nuk janë parë deri më tani. Gjatë dy ditëve do të ketë me bollëk rrush, verë, raki, ushqime tradicionale dhe lojëra të ndryshme të traditës vendore. Qëllimi i organizatorëve është që për pjesëmarrësit të jetë ngjarje e paharruar dhe që do të inkurajojë ardhjen e sërishme në Rahovec.

Interesimi i madh për të qenë pjesë e “Hardh Fest”-it nga vendi dhe rajoni
Në kuadër të angazhimeve dhe punës së aktivistëve, është vërejtur interesim i shtuar i njerëzve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në këtë ngjarje, si  brenda ashtu dhe jashtë vendit. Masivizimi i kësaj feste do të bëjë të mundur që Rahoveci me rrethinë të shndërrohet në një pikë të preferuar të turizmit kulturor. Grupe artistike nga Kosova dhe Shqipëria do ta begatojnë këtë festë, ndërsa të pranishmit do të shijojnë programin e pasur artistik që do të shpaloset.

Konaku
Këtë radhe festa do të mbahet në një lokacion të ri. Vendi i festës së rrushit do të jetë Shtëpia e verës dhe do të quhet “Konak”. Hapësira përreth  kësaj shtëpie do të ofrojë mundësi të mira për të shijuar peizazhin e bukur të vreshtave të Rahovecit dhe do të jetë vendi ku do të zhvillohen shumë aktivitete kulturore e tradicionale

Ekspozimi i prodhimeve vendore
Qëllimi kryesor i festivalit është promovimi i prodhimeve vendore të rajonit vreshtar të Kosovës dhe zonës së Rahovecit. Organizimi i këtij festivali ka të bëjë me shtytjen e zhvillimit ekonomik, avancimit të bujqësisë, zhvillimin e turizmit rural dhe atij kulturor, si dhe zgjerimin e ofertës turistike. Është mundësi e mirë që krejt këto të ndodhin përmes organizimit të ngjarjeve të tilla promovuese, ndërsa pjesëmarrja e mysafirëve dhe dashamirësve të artit e të kulturë, korrespondon me synimet e organizatorëve. Mes tjerash do të ketë dhe ushqime tradicionale vendase, si dhe prodhime të tjera pos rrushit, verës dhe rakisë.

Rock koncertet
Përveç aktiviteteve në qytet, për herë të parë do të ketë edhe rock koncerte për 2 netë rresht.Në këto koncerte do të performojnë grupe nga vendi e rajoni.
Vizitorët nga qytetet e ndryshme të Kosovës do të kenë mundisë edhe të rezervimit të tendave, të cilat do të jenë në afërsi të lokacioneve ku mbahet koncerti.

Ju mbetet që të vini dhe të përjetoni dy ditë të paharruara në jetën tuaj!