4 punëtorë të vdekur: Dy persona në ndalim, inspektorati deklarohet pas një dite, asnjë fjalë nga Qeveria në detyrë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një punëtor tjetër ka vdekur në Skenderaj gjatë së martës, i katërti brenda dy ditëve në këtë kohë kur vend po përballet me temperature jashtëzakonisht të larta. Deri më tani, asnjë fjalë nuk është thënë nga Qeveria në detyrë rreth këtyre rasteve tragjike. Në një komunikatë për media, policia…

Lajme

23/07/2025 08:15

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një punëtor tjetër ka vdekur në Skenderaj gjatë së martës, i katërti brenda dy ditëve në këtë kohë kur vend po përballet me temperature jashtëzakonisht të larta. Deri më tani, asnjë fjalë nuk është thënë nga Qeveria në detyrë rreth këtyre rasteve tragjike.

Në një komunikatë për media, policia ka thënë se është njoftuar me rastin rreth orës 16:00, derisa sipas tyre, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe inspektorët e punës.

“Rreth orës 16:00, policia në Skenderaj është njoftuar se një person kishte probleme shëndetësore dhe gjendej i shtrirë në vendin e punës në rrugën ,,17 Shkurti” në Skenderaj. Është njoftuar emergjenca mjekësore dhe në vendin e ngjarjes kishte shkuar një ekip mjekësore dhe njësitë policore. Mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e personit në vendin e ngjarjes. Personi pa shenja jete është i moshës 44 vjeçare.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e poashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore” – thuhet në njoftim.

Dy punëtorë të tjerë kanë vdekur të hënën në vendet e tyre të punës në Gjakovë, ndërsa një tjetër nga Istogu ka vdekur po ashtu dje, pas lëndimeve që mori para pak javësh.

“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës, në rrugën “Bardhyl Qaushi ” në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre. “Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarr veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”.

“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut më 24 qershor, kur viktima kishte pësuar lëndime në vendin e punës. Për shkak të lëndime të rënda, ai fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal të Pejës, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me urdhër të prokrurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore” – thuhet në deklaratat e policisë mbi këto raste.

Tashmë Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ndaluar dy persona për 48 orë, nën dyshimet pëer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria e Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”.

Ndërkohë, u desh të kalojë një ditë që Inspektorati i Punës të dalë me një reagim rreth rastit.

“Inspektorati Qendror i Punës është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe ligjore për të hetuar rrethanat e këtij rasti dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ju informojmë se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë. Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në anën tjetër, në një aksion simbolik të realizuar mbrëmjen e së hënës, shkroi disa parulla pranë inspektoratit të Punës.

“Vdekja e tre punëtorëve është vrasje e paralajmëruar, siç kanë qenë edhe ato të mbi 200 punëtorëve të vdekur në dhjetë vitet e fundit. Nëse shteti do i qëndronte krah punëtorëve, këto vdekje do të parandaloheshin. Por, kur kompanitë vrasin, e shteti bën sehir, ne duhet të revoltohemi, të organizohemi, të kërkojmë drejtësi dhe të qëndrojmë krah njëri-tjetrit për të marrë kontroll mbi jetën dhe punën tonë si dhe të drejtën për të punuar dinjitetshëm e frymuar pa rrezikuar vdekjen”.