Sulmet e qeveritarëve drejtuar mediave- U tha të mos u besojnë e disa herë i quajtën “shërbyes të regjimit të vjetër”

Retorika e pushtetit ndaj mediave, e përcjellur nga eksponentë e mbështetës të Qeverisë, edhe këtë vit u shënua me gjuhë të rrezikshme e akuza të rënda. Sulmet e pushtetit drejt mediave kritike e shpesh herë të etiketuara me emra të ndryshëm, erdhën edhe në rastin kur ndodhi shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.…

Lajme

04/01/2025 13:56

Retorika e pushtetit ndaj mediave, e përcjellur nga eksponentë e mbështetës të Qeverisë, edhe këtë vit u shënua me gjuhë të rrezikshme e akuza të rënda.

Sulmet e pushtetit drejt mediave kritike e shpesh herë të etiketuara me emra të ndryshëm, erdhën edhe në rastin kur ndodhi shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në natën e 29 nëntorit të vitit që lamë pas, kryeministri Albin Kurti, e kishte shfrytëzuar për të fyer rëndë disa media e për më tepër në formë diktakti u pati bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë të përcjellin e besojnë këto media.

“Situata si kjo shpesh janë cak i fushatave dhe dezinformatave dhe keqinformimit të qëllimshëm, andaj ju ftoj që të jeni të vëmendshëm ndaj lajmeve që lexoni dhe shikoni dhe ti përcillni njoftimet e institucioneve përmes kanaleve zyrtare”, ka thënë Kurti.

“Në fund, ju bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë të informohen që ata i dinë shumë mirë e që fatkeqësisht ndonjëra më shumë, ndonjëra më pak, janë bërë pjesë e një lufte hibride kundër republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar mbarë”, vazhdonte ai.

Kurti madje pati shkuar aq larg, duke thënë se se ka opinionistë e gazetarë që “indirekt ose direkt i gëzohen asaj që ka ndodhur”, duke iu referuar sulmit në Ibër-Lepenc.

Akuza të tilla, Kurti kishte bërë edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, pak ditë më vonë.

Nga aty, lideri Kurti pati pretenduar se “sa herë sulmohet shteti nga Serbia mediat akuzojnë qeverinë”, kështu duke hedhur akuza të rënda se ato po bëhen palë e Serbisë.

E ndaj këtyre sulmeve nga kryeministri, pati reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK tha se një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.

Megjithatë, ky nuk ishte rasti i vetëm kur kreu i ekzekutivit ka hedhur akuza të rënda ndaj mediave të Kosovës.

Në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, të mbajtur në ShBA gjatë muajit shtator, Kurti e pati shfrytëzuar rastin të sulmonte mediat, duke pretenduar se disa prej tyre “paguhen me para të pista nga regjimi i vjetër”.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, pati thënë ai.

Përveç kryeministrit Kurti, edhe deputetë e mbështetës të tjerë të pushtetit kanë përdorur gjuhë të rrezikshme ndaj mediave.

E kritika për mediat e gazetarët pati edhe zv/ministri i Mbrojtjes i Qeverisë Kurti, Shemsi Syla.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ishte ftuar që të diskutojë problemet me ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku tha se “ushqimi është në rregull” dhe “cilësor”, ndërsa akuzoi mediat dhe opozitën se po “zmadhojnë këtë punë”.

“Për momentin ushtarët janë duke u ushqyer, ushqimi është në rregull, cilësor, ka mjaftë por që mediat dhe opozita po e bëjnë të madhe këtë punë. Është kohë fushate dhe nuk është mirë të luhet…”, tha ai.

E në një rrugë me Sylën qëndroi edhe zyrtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje. Zv/ministri i Brendshëm, Blerim Gashani i ka sulmuar rëndë mediat, opozitën dhe shoqërinë civile.

Ai ka thënë se këta sektorë të shoqërisë janë bërë aleate të mediave serbe.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, në ditën e festës së 28 Nëntorit, Gashani ka thënë se kinse aleanca e mediave, opozitës dhe shoqërisë civile me Serbinë ka ndodhur pikërisht në kohën kur “qeveria po përballej fytafyt me Serbinë”.

“Gjithçka do të mund të besojnë njerëzit që do të vazhdojnë të jetojnë këtu dhe që do t’i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Gjithçka! Vetëm një gjë ata nuk do ta besojnë. Nuk do të besojnë se kur Qeveria e Republikës së Kosovës me t’gjitha institucionet e saj legjitime po përballej fytafyt me Serbinë për Kosovën, gjatë gjithë kësaj kohe – 2021/25 – e tërë opozita, shumica absolute e medies dhe shumica absolute e pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe jetës publike, kishin qenë kundër Qeverisë së Kosovës dhe me të njëjtin tonalitet, të njëjtat argumentime, arsyetime e frekuenca me medien serbe, e cila vazhdimisht i kishte përdorë si aleatë, i kishte cituar e iu ishte referuar”, ka thënë Gashani.

E listës së zyrtarëve që fyen e sulmuan gazetarët e mediat assesi më 2024 nuk i mungoi deputeti i VV-së, Dimal Basha.

Ai ka përdorur një raport të Hibridit për dezinformatat në periudhën korrik 2023 deri qershor 2024, ku ka thënë se kryeministri Kurti është personi për të cilin keqinformohet më së shumti.

Ai madje ka akuzuar mediat se në gjuhën shqipe po i ndihmojnë Serbisë e Rusisë për të keqinformuar.

“Fushat me me së shumti keqinformime në kategorinë dezinformatë ndërlidhen me çështjet e sigurisë dhe politikës, dhe 𝐤𝐣𝐨 𝐧𝐚 𝐭𝐫𝐞𝐠𝐨𝐧 𝐬𝐞 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐚 𝐞 𝐑𝐮𝐬𝐢𝐚 𝐣𝐚𝐧ë 𝐚𝐤𝐭𝐢𝐯𝐞 𝐧ë 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐧 𝐭𝐨𝐧ë 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐨 𝐩𝐮𝐧𝐨𝐣𝐧ë 𝐬𝐡𝐮𝐦ë 𝐩ë𝐫 𝐭ë 𝐤𝐞𝐪𝐢𝐧𝐟𝐨𝐫𝐦𝐮𝐚𝐫 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐮𝐧 𝐩ë𝐫 𝐜𝐟𝐚𝐫𝐝𝐨 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢 𝐭ë 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐭, 𝐩𝐨𝐫 𝐩𝐚 𝐥ë𝐧ë 𝐚𝐧𝐚𝐬𝐡 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐮𝐦𝐞 𝐧ë 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩 𝐪ë 𝐩𝐨 𝐞 𝐧𝐝𝐢𝐡𝐦𝐨𝐣𝐧ë 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐧ë 𝐞 𝐑𝐮𝐬𝐢𝐧ë 𝐧ë 𝐤ë𝐭ë 𝐤𝐞𝐪𝐢𝐧𝐟𝐨𝐫𝐦𝐢𝐦”,tha ai.

E në një deklarim të tij të hapur ai pati shkuar edhe më larg duke deklaruar se Qeveria Kurti “ua ndali tagjinë mediave”.

“Po na flasin për kapje të mediave, ndërsa na e dimë që Telekomin e kanë falimentuar me 50 milion euro humbje dhe ka shku ka 10 milionë euro ua ka dhënë mediave për m’i ble. Kjo qeveri është e vetmja që ua ka ndalë komplet ‘tagjinë’ edhe asnjë cent nuk iu shkon mediave. Me dashtë me i kap kish vazhdu avazin tjetër, po ndryshimi tregon që na nuk jemi të asaj rruge dhe s’kemi synim me kap”, u shpreh Basha.

Duke shkuar edhe më larg, asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi pati pretenduar se dy portalet vendore “Nacionale” e “Periskopi”, financohen nga terroristi serb, Milan Radojiçiq.

Kjo akuzë pati ardhur pas lajmit në RTK, se kinse dy mediumet në fjalë financohen nga shteti serb, duke u bazuar në burimet e gazetës boshnjake “Slobodna Bosna”.

Madje, këtë lajm e patën shpërndarë dy deputetët e VV-së, Salih Zyba e Dimal Basha, gjë që kishte nxitur reagimin e AGK-së, e cila pati dënuar fuqishëm “këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve karshi mediumeve në fjalë”.

E një rast tjetër që shfaqi gjuhën e ashpër e denigruese të zyrtarëve shtetërore ishte ai i kryeshefit ekzekutiv të Ibër Lepencit, ndryshe ish-zyrtari i VV-së, Faruk Mujka ndaj gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj.

Nga viti 2024, Qeveria Kurti do të mbahet mend për fyerjet, sulmet e kritikat e shumta që patën në drejtim të mediave.

Padyshim se kjo qeveri në preferenca patën disa media, nga të cilat shpërndanin edhe lajme, u ofronin edhe ekskluzivitete e marrëdhëniet me to i kishin më të mira.

Mujka ka reaguar për pyetjet e gazetares në intervistë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilat i ka quajtur si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit”.

Ish-zyrtari i Vetëvendosjes “e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Putinit. AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo”, thuhej në reagimin e AGK-së.

Ndryshe, Organizata “Reporterët pa Kufij” ka publikuar Indeksin vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit, ku Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”.

Ajo në raportin për vitin 2024 është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur ishte listuar e 56-ta.

Gjatë këtij viti Kosova është notuar me notën 60.19 në krahasim me vitin e kaluar ku kishte grumbulluar plotë 68.38 pikë. Gazetarët, siç thuhet në raport, vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike./Lajmi.net/