Gjetjet e ZKA-së për vitin 2024 përfshijnë komunat e ministritë- Shkeljet kryesore u bën në menaxhimin e tokave e tek milionat e projektet të digjitalizimit në shkolla

Një detyrë jo fortë e lehtë e auditorit ka të bëjë me zbatimin e procedurave të prokurimit publik e në këtë mes hyn edhe shkeljet të cilat bëhen nga institucione përkatëse apo mos transparenca e institucioneve. Më saktësisht Zyra Kombëtare e Auditimit ka vazhduar angazhimin edhe gjatë 2024-ës për të siguruar që institucionet publike mbahen…

Lajme

04/01/2025 11:17

Një detyrë jo fortë e lehtë e auditorit ka të bëjë me zbatimin e procedurave të prokurimit publik e në këtë mes hyn edhe shkeljet të cilat bëhen nga institucione përkatëse apo mos transparenca e institucioneve.

Më saktësisht Zyra Kombëtare e Auditimit ka vazhduar angazhimin edhe gjatë 2024-ës për të siguruar që institucionet publike mbahen përgjegjës për veprimet e tyre karshi menaxhimit.

Madje thënë qartë gjatë 12 muajve Zyrës Kombëtare të Auditimit e përgjegjësve aty u doli “goxha”  punë me institucionet.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar dobësi të cilat janë prezantuar në raportet individuale të auditimit, mirëpo në të njëjtën kohë edhe në raportin vjetor të Auditimit.

Sipas Auditorit në lidhje me auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë numri më i madh i gjetjeve është tek niveli lokal saktësisht tek komunat.

Lidhur me statistikat e sakta dhe numrin konkret të këtyre gjetjeve në një përgjigje për lajmi.net, nga Zyra kombëtare e Auditimit kanë thënë se vetëm në nivel lokal (komuna), janë 376 sosh, ndërsa në nivelin qendror janë 184 gjetje.

Se cilat janë gjetjet më të shpeshta nga rezultatet e auditimit do t’i tregojmë si më poshtë:

– Klasifikimi dhe raportimi i pasaktë i shpenzimeve;

– Regjistrimi i pasaktë i pasurive kapitale dhe jokapitale;

– Mangësitë në menaxhimin dhe raportimin e llogarive të arkëtueshme, detyrimeve të papaguara (vonesat në pagesa) dhe atyre kontigjente;

– Përdorimi i fondeve nga projektet për qëllime të tjera nga ato për të cilat janë planifikuar;

– Në zhvillimin e procedurave të prokurimit: Specifikime teknike jo të qarta në dosjet e tenderëve, mungesë monitorimi në menaxhimin e kontratave, vonesë në realizimin e kontratave;

– Në menaxhimin e kontratave, si: Mosnënshkrimi i planeve të menaxhimit të kontratave, vonesa në dinamikën e projekteve, pagesa për punë të papërfunduara, tejkalim në furnizime krahasuar me sasitë e kontraktuara;

– Angazhimi i zyrtarëve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të prokurimit;

– Dhënia e subvencioneve jo në përputhje me thirrjen publike dhe mangësi në përzgjedhje, monitorim e raportim të përfituesve; si dhe

– Kontraktimi i projekteve të paparapara në buxhet dhe tejkalimi i afateve të realizimit.

Sipas Auditorit për 14 auditime të performancës janë dhënë 124 rekomandime, teksa sipas tyre nga gjetjet kryesore për tri raportet e auditimit që mbulojnë fushën  e menaxhimit të tokave, sportit, TI-së lidhur me e-edukimin janë të ndara në kategori.

Nga të dhënat e ZKA-së, nga këto tri kategori shihet të ketë “dështime”, të mëdha në aspektin e menaxhimit dhe zbatimin e projekteve.

Një gjë e tillë bie në sy hiç më pak se tek menaxhimi i pronave-tokave, ku nga ZKA-ja kanë thënë se janë mbi 309 hektar tokë bujqësore të Institutit që nuk menaxhohen në mënyrën e duhur, prej tyre mbi 52hektarë shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar dhe rreth 31hektarë të tjera janë tjetërsuar pa njohurinë-pëlqimin e institutit dhe në rrethana të pa qarta.

“Menaxhimi i pronave/tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës. Janë mbi 309 hektar tokë bujqësore të Institutit që nuk menaxhohen në mënyrën e duhur, prej tyre mbi 52ha shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar dhe rreth 31ha të tjera janë tjetërsuar pa njohurinë/pëlqimin e institutit dhe në rrethana të pa qarta. Instituti për nevojat hulumtuese shfrytëzon vetëm rreth 5ha ndërsa rreth 260ha i ka ofruar/dhënë me qira por të cilat nuk janë menaxhuar në mënyrën e duhur. Ka mungesë të qartë të bazës ligjore për Institutin, Bordi Menaxhues nuk ka funksionuar duke ndikuar që Instituti të mos ketë menaxhim të duhur dhe politika drejtuese për zhvillimin e aktivitetit”, thuhet në përgjigje.

Pengesa pothuajse të njëjta e shqetësuese shihet të ketë edhe sporti pasi aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen siç duhet, ku si pasojë fondet e sponsorizimit nuk kanë arritur qëllimet për ngritje të cilësisë së sportit në vend.

Sipas tyre sponzorizmi dhe lirimi i tatimit për kompanitë private ka rezultuar me shmangie tatimore.

Kurse mos transparenca është një nga “tiparet”, kryesore në këtë kategori pasi një nga Organizatat Joqeveritare përfituese e projektit “databaza sportive në Kosovë” nuk ka dorëzuar raportin final me kohë për të cilin Ministria kishte paguar 121 mijë e 430 euro.

“Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit. Aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen siç duhet, si pasojë fondet e sponsorizimit nuk kanë arritur qëllimet për ngritje të cilësisë së sportit në vend. Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 mil.€ të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sponsorizimi dhe lirimi i tatimit për kompanitë private ka rezultuar me shmangie tatimore. Në mostrat tona kemi gjetur se mbi 490,000€ nuk janë transferuar tek klubet sportive si sponosorizim nga kompanitë private edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Përveç kësaj, një nga Organizatat Joqeveritare përfituese e projektit “databaza sportive në Kosovë” nuk ka dorëzuar produktin/raportin final me kohë për të cilin Ministria kishte paguar 121,430€”, thuhet tutje në përgjigje.

As Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovancionit nuk mbetet “mbrapa”, pasi vetëm dështimi i projektit për digjitalizim të arsimit para universitar në shkolla, në kosto totale prej 5 milionë e 637 mijë e 519 euro, ka rezultuar në dëmtim të buxhetit për këtë shumë.

Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHT), po ashtu ka dështuar për të menaxhuar dhe zbatuar projektin e teknologjisë së informacionit.

“Modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” për të përmbushur objektivat e këtij projekti dhe qëllimin e ministrisë për digjitalizimin e procesit mësimor dhe të testimit/ vlerësimit të maturës. Ndërsa Qeveria e Kosovës për këtë projekt të pa funksionalizuar ka obligime ndaj huamarrësit deri në vitin 2032, që do të paguhen nga Buxheti i Kosovës në formë të kësteve të kredisë. Dështimi i projektit për digjitalizim të arsimit para universitar në shkolla, në kosto totale prej 5,637,519€, ka rezultuar në dëmtim të buxhetit për këtë shumë”.

Ndryshe në lidhje me shkeljet e ligjit të cilat janë gjetur gjatë këtij viti, nga ZKA, kanë thënë se në raportet individuale të auditimit për organizatat buxhetore janë paraqitur 560 gjetje të cilat janë përcjellë edhe me rekomandime.

Ndërsa në raportet e audimit në lidhje me ndërmarrjet, thuhet se për 12 ndërmarrje publike janë paraqitur 133 gjetje dhe rekomandime.

Për lajmi.net, nga Zyra e Auditorit shprehën se vështirësitë në trajtimin e rasteve mund të jenë ato që lidhen me menaxhimin e detyrimeve kontigjente, për shkak të mungesës së regjistrave të saktë dhe mos përditësimit të dëshmive.

“Vështirësitë në trajtimin e rasteve mund të jenë ato që lidhur me menaxhimin e detyrimeve kontigjente, për shkak të mungesës së regjistrave të saktë dhe mos përditësimit të dëshmive lidhur me këto shpalosje gjë që kërkon punë shtesë nga auditorët”, kanë thënë ata.

Tutje një sfidë tjetër për trajtimin e gjetjeve është se organizatat buxhetore nuk ndërmarrin masat e nevojshme me kohë për t’i evituar gjetjet e auditorit, gjë e cila ndikon edhe në zbatimin e rekomandimeve, e njëjta edhe më tutje mbetet në nivel jo të kënaqshëm.

E si pasojë e kësaj një numër madh i gjetjeve përsëriten ndër vite.

Ndërkohë në lidhje se sa kanë qenë bashkëpunuese institucionet, shihet se ka qenë një bashkëpunim konstant dhe i plotë.

Në përgjithësi institucionet janë treguar korrekte nga ZKA, kanë thënë se institucionet në vazhdimësi sjellin planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e proceseve, anipse në disa raste mungon marrja e masave për përmirësimin e gjendjes së paraqitur në raportet e auditimit.

“Gjatë procesit të auditimit bashkëpunimi ka qenë konstant dhe i plotë në përgjithësi. Të gjitha institucionet veprojnë në harmoni me kërkesat ligjore nga aspekti i detyrave dhe përgjegjësive të tyre në raport me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Institucionet në vazhdimësi sjellin planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e proceseve, megjithatë në disa raste mungon marrja e masave për përmirësimin e gjendjes së paraqitur në raportet e auditimit”.

Në lidhje me shkeljet e bëra në nivel të përgjithshëm, menaxhimi i pasurisë mbetet një çështje që kërkon vëmendje më të madhe nga organizatat buxhetore.

Të pyetur se cila është shkelja më e madhe e zbuluar përgjatë këtij viti nga Audiori për lajmi.net, thanë se nuk është në mandatin e tyre që të bëjnë konstatime të tilla.

“Në nivel të përgjithshëm, menaxhimi i pasurisë është një çështje që kërkon vëmendje më të madhe nga organizatat buxhetore. Nga raportet e audimit vërehet se auditimi ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në regjistrimin (në miliona euro), mbajtjen dhe transferin e tyre tek organizatat buxhetore përgjegjëse, gjë që ka shtyrë institucionet të marrin masa në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Niveli lokal (komunat), mbetet më “problematik”, sa i përket auditorit, sipas tyre në këtë pjesë kemi të bëjmë me inicimin e procedurave të prokurimit pa fonde të mjaftueshme, Tejkalimi i vlerës së kontratave nga fondet e buxhetuara si dhe Ndryshime në buxhet pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Në nivelin lokal më specifike kanë qenë çështjet si:

– Inicimi i procedurave të prokurimit pa fonde të mjaftueshme: Të Komuna e Malishevës, projekti “Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor” është kontraktuar më 12.01.2023 në vlerë prej 8,277,887 €, ndërsa fondet e buxhetuara në Programin e Investimeve Publike (PIP) për tri vite ishin vetëm 1,950,000 €.

– Tejkalimi i vlerës së kontratave nga fondet e buxhetuara: Në Komunën e Vushtrrisë, pesë projekte kapitale të planifikuara me vlerë 3,015,810 € janë kontraktuar në vlerë 5,599,334 €, duke tejkaluar buxhetin për 2,583,524 €.

– Ndryshime në buxhet pa miratimin e Kuvendit Komunal si dhe ndryshimet në shumat e ndara buxhetore të projekteve kapitale pa aprovim të kuvendit komunal, Realizimi i sasive të kontratave publike kornizë, në mos përputhje me peshën e përcaktuara në dosje të tenderit: Në Komunën e Prishtinës, janë bërë 8 pagesa në vlerë 2,209,581 € për projekte kapitale, duke ndryshuar shumat pa miratim të kuvendit. Gjithashtu, në 7 kontrata kornizë janë tejkaluar sasitë e lejuara sipas peshimit të përcaktuar.

Ndryshe një ndihmesë e madhe për Auditorin mbeten sinjalizuesit (qytetarët), pasi siç shprehen qytetarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në orientimin e punës audituese në disa raste specifike.

Mirëpo jo gjithmonë kanë qenë korrekte apo në përputhje me objektivat e audimit si dhe shpeshherë nuk kanë qenë të përdorshme për qëllimet e auditimit.

Ndërkaq nga ZKA-ja, thonë se në vazhdimësi kultivohen raportet e saj me qytetarët dhe i inkurajon për bashkëpunim.

“Sinjalizuesit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në orientimin e punës audituese në disa raste specifike. Megjithatë ka pasur raste kur informacionet nga sinjalizuesit nuk kanë qenë në përputhje me objektivat e auditimit si dhe nuk kanë qenë të përdorshme për qëllimet e auditimit. Sidoqoftë, ZKA-ja kultivon në vazhdimësi raportet e saj me qytetarët dhe i inkurajon për bashkëpunim”, kanë thënë nga ZKA. /Lajmi.net/