35 kompani të huaja në proces për të marrë statutin e investitorit strategjik në Kosovë
Që të tërheqë investime të huaja direkte, Kosova e miratoi para katër viteve një ligj të veçantë. Por, çka po ndodhë më këtë proces?
Lajme
Ligji për Investime Strategjike është miratuar në nëntor të vitit 2016. Nëpërmjet këtij, Kosova synonte që të nxisë, tërheqjen dhe të krijojë kushte për realizimin e investimeve strategjike, si dhe të përcaktojë procedurat administrative dhe kriteret për vlerësimin, zgjedhjen, implementimin dhe mbikëqyrjen e projekteve strategjike.
Që katër vite, akoma asnjë ndërmarrje e huaja nuk ka mundur të fitojë statutin e investitorit strategjikë, gjë që do të sillte miliona euro investime dhe krijimin e shumë vendeve të punës, shkruan lajmi.net.
Megjithëkëtë, 35 ndërmarrje janë në rrugë për t’u pajisur më “pasaportën’ e investitorit strategjikë në Kosovë. Ato janë në proces të kompletimit të dokumentacionit. Një nga to ka shprehur interesim për investime në Brezovicë.
Për jetësimin e Ligjit të Investimeve Strategjikë në Kosovë merret Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
MTI-ja nuk ka dashur të zbulojë emrat e ndërmarrjeve që janë në proces të plotësimit të dokumentacionit, ndërkohë kjo ministri bëri të ditur për lajmi.net se tashmë një subjekti aplikues i është dhënë vendimi final nga Qeveria për sektorin e energjisë së ripërtëritshme, e cila është në fazën finale të kompletimit të investimi.
“Emrat e aplikuesve derisa janë në fazën e vlerësimit dhe shqyrtimit janë konfidencial (duke u bazuar në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale). Pas aprovimit nga Qeveria atëherë behet publikim i tyre si investitorë strategjikë. KIESA/MTI mund të përgjigjet vetëm me numra se sa aplikantë janë dhe në cilën fazë janë secili. Në bazë të Ligjit për Investime Strategjik në Kosovë, deri në këtë periudhë, kanë aplikuar 35 (tridhjetë e pesë) kompani të cilat janë disa të kompletuara teknikisht e disa në proces të kompletimit të dokumentacionit mbi kriteret dhe kushtet e pacaktuara sipas Udhëzimit administrativ (QRK) Nr.15/2018 për mënyrën dhe metodat e verifikimit të përmbushjes së kritereve për përcaktimin e statusit të investitorit strategjik”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Sipas kësaj ministrie, janë pesë sektorë të të cilët është shprehur interesim për investime. Në sektorin e energjisë me infrastrukturë dhe miniera janë 21 aplikime. Transport dhe Telekomunikacion një aplikim, Turizëm shtatë aplikime, Bujqësi dhe Industri Ushqimore pesë aplikime, dhe një aplikim në Shëndetësi.
“Një subjekti aplikues i është dhënë vendimi final nga Qeveria për sektorin e energjisë së ripërtritshme dhe kjo është kompania “SOWI Kosova”, e cila është në fazën finale të kompletimit të investimi. Subjekti i dytë aplikues është kompletuar teknikisht sipas kritereve të përcaktuara dhe është në pritje të shqyrtimit të raportit të Grupit Operacional nga Komisioni Ndërministror. Subjekti i tretë aplikues ka kompletuar dokumentacionin e nevojshëm, por pas protestave dhe kundërshtimit nga Komuna e Pejës, projekti është pezulluar”, bënë të ditur MTI-ja për lajmi.net.
Pra, sipas të dhënave të kësaj ministrie, një subjekt aplikues është në pritje të vendimit të Qeverisë për shpalljen e Investimit Strategjik, ndërsa një subjekt aplikues ka kaluar aprovimin e Komisionit Ndërministror dhe pritet një opinion ligjor nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ndërsa, katër subjekte aplikuese kanë kompletuar dokumentacionin dhe janë në shqyrtim nga Grupet Operacionale, të formuara për shqyrtim dhe vlerësim profesional të aplikacioneve.
“Ndërsa katër subjekte aplikuese tjera kanë kompletuar dokumentacionin mbi kriteret dhe kushtet e pacaktuara me Udhëzim administrativ (QRK) Nr.15/2018 dhe janë në pritje të formimit të grupit operacional nga Komisioni Ndërministror”.
Tutje MTI bënë të ditur se një subjekt aplikues ka kompletuar dokumentacionin mbi kriteret dhe kushtet e pacaktuara me Udhëzim administrativ (QRK) Nr.15/2018, mirëpo jemi në pritje të konfirmimit nga Zyra e Kryeministrit, pasi aseti (qendra turistike Brezovica), i kërkuar nga subjekti aplikues, parashihet me planet e Qeverisë të jetësohet në partneritet publiko-privat, bazuar në marrëveshjen e Uashingtonit, të datës 04.07.2020.
Deri në fillim të vitit 2019 kanë qenë 12 aplikime për investime strategjike.
Ndërkohë, kompania Sowi Kosova LLC e cila është në pritje që të fitojë statutin e investitorit strategjikë, investimi i kësaj kompanie është parku me energji me erë në vlerë prej 169 milionë eurove. Ky është investimi më i madh direkt në Kosovë që nga paslufta deri më tani. Parashihen të ndërtohen 30 turbina të prodhimit të energjisë me erë, 105 megavat me energji në tri lokacione të Komunës së Mitrovicës./Lajmi.net/