32 herë dështoi konstituimi i Kuvendit, por e diela mbetet e “shenjtë” për deputetët – 45 prej tyre mungojnë në seancë
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka filluar të shihet si një proces i “patejkalueshëm” për 120 të zgjedhurit e popullit, deputetët. Tash e 32 herë, që nga 15 prilli, ata po shkojnë çdo 48 orë në sallën e Kuvendit për ta konstituuar atë, por kjo nuk po arrihet, pasi që “faji” për këtë problematikë serioze…

Lajme
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka filluar të shihet si një proces i “patejkalueshëm” për 120 të zgjedhurit e popullit, deputetët.
Tash e 32 herë, që nga 15 prilli, ata po shkojnë çdo 48 orë në sallën e Kuvendit për ta konstituuar atë, por kjo nuk po arrihet, pasi që “faji” për këtë problematikë serioze po hidhet nga njëra parti te tjetra, e nga njëri lider te tjetri.
Meqë Kushtetuta e Kosovës e parasheh që këto seanca konstituive deri në konstituim të Kuvendit duhet të mbahen brenda 48 orëve, atëherë kjo do të duhej të ishte obligative për deputetët edhe kur është ditë fundjave, edhe kur ka festa shtetërore e edhe kur kanë obligime të tjera.
Seanca e 32-të e cila u mbajt sot (e diel), nuk arriti të mbledh hiq më shumë se 75 deputetë, e që nga 120 sa janë gjithsej 45 deputetë i bie të kenë munguar.
Kjo mungesë e tyre është parë si injorim dhe neglizhencë ndaj obligimit të tyre kushtetues, nga avokati Arianit Koci.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është “e turpshme”.
“Turp, turp, turp! Shteti në vdekje klinike, e ata mungojnë. E ne, qytetarët, prapë heshtim. Prandaj – mirë po na bëjnë! Ju lutem, në komente – shkruani emrat e atyre që kanë munguar. Le t’i njohim me emër e mbiemër!”, ka shkruar Koci.
Ai në vazhdimësi ka qenë një “protestues” ndaj vonesës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e për të cilën ka fajësuar deputetët të cilët nuk po e gjejnë një zgjidhje.
Më 15 prill të këtij viti, Kuvendi i Kosovës mbajti seancën e parë konstituive të Kuvendit, ndërsa sot, dy muaj pas, Kuvendi ende nuk i ka të zgjedhur kryetarët e tij dhe nënkryetaret, për t’i hapur mundësi pastaj edhe formimit të Qeverisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Partia e cila ka dal e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për kryetare të Kuvendit ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun por ajo nuk po votohet nga partitë tjera.
Sipas PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, Haxhiu është “figurë përçarëse” dhe Kuvendit të Kosovës i duhet një figurë “unifikuese”.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë disa herë që Haxhiu nuk i ka votat dhe as nuk do t’i ketë, ndërsa derisa ka folur për qëndrimin e PDK-së, ai ka thënë se nuk do ta votojnë askënd që ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti 2.
Nga AAK, i kanë dhënë kreut të VV-së, Albin Kurti tre emra të cilat do t’i votonin, e që janë Saranda Bogujevci, Shqipe Selimi dhe Glauk Konjufca, por VV duke u thirrur në të drejtën e tyre për të propozuar kandidaten për kryekuvendare nuk po e ndërrojnë atë.
Nga 1 maji, në Kuvendin e Kosovës po votohet për komisionin për votim të fshehtë, dhe në këtë votim, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim.
Sipas këtyre partive, ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procedurës së konstituimit të Kuvendit është jokushtetues,
Këtë, AAK e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese për ta komentuar, ndërkaq Gjykata Kushtetuese ka thënë për lajmi.net ditë më parë se “janë duke e shqyrtuar”.
Të gjitha partitë kanë thënë se do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses çfarë do që të jetë ai, dhe presin që ky vendim t’i “hap rrugën” konstituimit të Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar javë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.
Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet të martën në ora 10:30, 48 orë pas seancës së sotme, ndërkaq nuk pritet ndonjë rezultat edhe pas kësaj seancë. /Lajmi.net/