Ambasada Gjermane: Kosovarët meritojnë politikanë që i japin përparësi interesit të Kosovës, por po shohim vetëm sjellje penguese e vonesa
Pothuajse janë bërë 4 muaj që kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet e fundit nacionale, megjithatë institucione të reja ende s’ka. Kurti si fitues i zgjedhjeve me partinë e tij, vazhdon të insistojë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryekuvendare, ndërkohë partitë opozitare refuzojnë t’ia japin Kurtit votat që i nevojiten. Faktori ndërkombëtarë në vazhdimësi ka bërë…

Lajme
Pothuajse janë bërë 4 muaj që kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet e fundit nacionale, megjithatë institucione të reja ende s’ka. Kurti si fitues i zgjedhjeve me partinë e tij, vazhdon të insistojë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryekuvendare, ndërkohë partitë opozitare refuzojnë t’ia japin Kurtit votat që i nevojiten.
Faktori ndërkombëtarë në vazhdimësi ka bërë thirrje për dalje nga kriza dhe për krijimin e institucioneve të qëndrueshme. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë se ambasadori Jorn Rohde në vazhdimësi ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë.
Vonesa në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e një qeveri të qëndrueshme që mund të marrë vendime, Ambasada Gjermane potencon se është një “shqetësim në rritje”.
Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Express, Ambasada Gjermane thotë se kosovarët meritojnë politikanë që e vendosin interesin e shtetit mbi atë partiak dhe thotë se aktualisht në Kosovë po ndodh e kundërta.
“Qytetarët meritojnë politikanë që i japin përparësi vendit dhe mirëqenies së tij mbi politikat partiake. Por ajo që shohim më së shumti është sjellja penguese dhe vonesat”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës, Christian Bottcher për Express.
Ai në fund ka thënë se shqetësimet për situatën janë shprehur në mënyrë ë vazhdueshme nga Ambasadori Rohde dhe zëvendësi i tij dhe ka shtuar se Kosovën e presin shumë detyra të rëndësishme brenda vendit dhe ndërkombëtare,
“Shqetësimet tona janë ndarë vazhdimisht nga Ambasadori Gjerman dhe Zëvendësi i tij, së bashku me të tjerë, me palët e interesuara politike dhe publikun. Shumë detyra të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare presin”, ka përfunduar Bottcher.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosoje ka fituar 42 % të votave, të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme. Aktualisht Kurti ka afër vetes edhe disa deputetë të minoriteteve, por që në total nuk bëjnë 61. LDK ka refuzuar në vazhdimësi ftesat e Kurtit për bisedime për koalicion, për shkak edhe të gjuhës që kreu i LVV-së ka përdorur gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.
Për PDK-në, Kurti ende s’ka bërë ndonjë ftesë për koalicion, duke thënë se preferojnë të bashkëqeverisin me Abdixhikun.
Kurti në përpjekjen e tij për t’i bërë 61 vota ka zhvilluar bisedime edhe me Fatmir Limajn, megjithatë ende s’ka një finalizim konkret të një marrëveshjes VV-NISMA, meqë Limaj vazhdon të mos marrë pjesë në votim për ndryshimin e mënyrës së votimit në Kuvend.