30 vjet nga ndarja nga jeta e Halil Alidemës, Kurti: Vepra e tij pikë e fortë referimi
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt akademi Jubilare me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Halil Alidema. Aktiviteti u organizua për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e tij në përpjekjet për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti…
Lajme
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt akademi Jubilare me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Halil Alidema. Aktiviteti u organizua për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e tij në përpjekjet për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se fakti që përkujtimi po mbahet në Institutin e Historisë “Ali Hadri” ka simbolikë të veçantë, duke rikujtuar lidhjen e drejtpërdrejtë të Alidemës me Universitetin e Prishtinës dhe ndikimin që historian si Ali Hadri kishin në formimin e tij.
“Duke ju drejtuar nga kjo foltore, më duket shumë domethënës fakti që Halil Alidema po kujtohet në ndërtesën e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, ku është e vendosur edhe një pjesë e administratës së Universitetit të Prishtinës. Kjo sepse vetë Halil Alidema ka qenë pjesë e administratës së Universitetit të Prishtinës si sekretar në Fakultetin Filozofik, dhe sepse historiani Ali Hadri ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e Halil Alidemës duke e inkurajuar atë që të studionte histori. Halil Alidema jo vetëm që studioi histori, por edhe bëri histori, meqë ai u angazhua politikisht pothuajse gjatë gjithë jetës së tij, duke qenë një nga intelektualët dhe politikanët më të rëndësishëm në një periudhë aq përcaktuese për historinë e Kosovës, siç ishte ajo e fund-shekullit XX (të njëzetë), kur i tërë kombi shqiptar po përpiqej ta çlironte Kosovën nga zgjedha serbe”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti shtoi se në historinë e betejave për çlirim dhe shtetndërtim, Alidema zë një vend të veçantë, duke kujtuar edhe sakrificën e tij pas demonstratave të vitit 1981 dhe dënimin me burg të gjatë. Kurti theksoi se për institucionet e Kosovës, vepra e tij mbetet një pikë e fortë referimi për idealet mbi të cilat është ndërtuar shteti.
“Në historinë e gjatë të betejave të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi, betejave të luftës për çlirim dhe shtetëndërtim, Halil Alidema rezulton të jetë një nga figurat e shquara dhe më të rëndësishme. Gatishmëria e tij për të marrë përgjegjësi politike për demonstratat e vitit 1981 e nxorrën Halil Alideman në krye të një grupi intelektualësh që u arrestuan dhe u gjykuan duke u dënuar me burg të gjatë deri 15 vjet. për mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe për institucionet e shtetit tonë të pavarur, vepra politike e Halil Alidemas do të mbetet një pikë e qartë dhe e fortë referimi për idealet dhe shembujt mbi të cilat është ndërtuar dhe zhvilluar vendi ynë”, deklaroi ai.
Në emër të familjes, vajza e tij Yllka Alidemaj e kujtoi Halil Alidemën si një udhërrëfyes të qëndresës dhe dashurisë për atdheun, duke theksuar se trashëgimia e tij i tejkalon kufijtë familjarë dhe i përket gjithë kombit shqiptar.
“Kjo trashëgimi nuk i përket vetëm familjes sonë, por gjithë popullit shqiptar. Sot, duke e kujtuar dhe nderuar ne e ripërtërijmë përgjegjësinë tonë për të ruajtur dhe për të çuar përpara idealin për të cilin ai bashkë me shumë të tjerë sakrifikuan gjithçka për lirinë, dinjitetin dhe shtetin tonë”, tha ajo.
Halil Alidema ishte një intelektual shumë aktiv, i cili u bë i njohur veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, kur ai u burgos dhe u dënua për veprimtarinë e tij politike. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, Halil Alidema themeloi partinë politike UNIKOMB dhe u angazhua në organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë./kp