“Sulmuesi i vitit”- Sami Kurteshi s’u lodh kurrë duke sulmuar gazetarët që i quajti “vrasës me pagesë”, 2025 ia ktheu “makthin” e mediave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë një nga institucionet më të angazhuara në vend gjatë vitit 2025, kjo pasi në Kosovë u mbajtën plot katër palë zgjedhje. Qytetarët thuajse kishin takime të përditshme me mbledhjet e KQZ-së, e deklarimet që bëheshin për organizimin, e më pas zhvillimin e zgjedhjeve. Viti nisi me zgjedhjet nacionale të…

Lajme

03/01/2026 16:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë një nga institucionet më të angazhuara në vend gjatë vitit 2025, kjo pasi në Kosovë u mbajtën plot katër palë zgjedhje.

Qytetarët thuajse kishin takime të përditshme me mbledhjet e KQZ-së, e deklarimet që bëheshin për organizimin, e më pas zhvillimin e zgjedhjeve.

Viti nisi me zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, të cilat ndonëse u mbajtën, më pas u publikuan rezultatet dhe u përfunduan të gjitha afatet kushtetuese, nuk sollën rezultat. Pas tyre u mbajtën zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ato të balotazhit të 9 nëntorit, e të fundit zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit.

Këto zgjedhje të fundit u mbajtën pasi Qeveria e Kosovës nuk  u formua dot, as pasi këtë e provuan dy të mandatuarit nga Presidentja, Albin Kurti e Glauk Konjufca.

Për shkak të numrit të këtyre zgjedhjeve, KQZ “u detyrua” të mblidhej shpesh. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, mblidhte shumë shpesh anëtarët e këtij komisioni, të cilët vinë nga parti të ndryshme, kanë bindje politike të ndryshme e mendime të ndryshme që shpesh përfundonin në konflikte verbale mes anëtarëve.

Në KQZ përveç Kreshnik Radoniqit, anëtarë janë Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi nga VV, Arianit Elshani dhe Ilir Gashi nga PDK, Sami Hamiti i LDK-së, Muharrem Nitaj nga AAK, Gordana Laban nga Lista Serbe, Mufera Srbica Sinik nga KDTP, Almir Saiti nga NDS dhe Alfred Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Nga 10 anëtarë gjithsej dhe kryesuesi, një nga ta është më i zhurmshmi.

Bëhet fjalë për “Kryeqendrën” e KQZ-së, Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje i cili e shfrytëzoi çdo mbledhje të KQZ-së për t’i sulmuar mediat, e për t’ua vështirësuar punën atyre.

Më 12 mars të këtij viti, në Qendrën e Numërimeve dhe Rezultateve, vetë Sami Kurteshi i quajti “media kriminale”, gazetarët që ishin aty.

“Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë”, u shpreh Kurteshi para gazetarëve.

Ai biles të njëjtën ditë, u ishte drejtuar gazetarëve që nuk kishin të drejtë ta xhironin, ndonëse i njëjti ndodhej në një vend publik, dhe gazetarët e kameramanët ishin akredituar nga KQZ për të vëzhguar procesin e numërimit të votave.

Në lidhje me këtë deklaratë të tij, menjëherë kishte reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kishin konsideruar këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme.

“Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve. AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë”, kishte thënë AGK në këtë reagim.

Por, Kurteshi nuk e kishte lënë me kaq. Ai më pas kishte reaguar duke ofenduar rëndë edhe AGK-në.

Ai, AGK-në e kishte quajtur si “Aleancë të Grupeve Kriminale”.

“Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”. Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese. Askush, në asnjë rast, nuk i përfillë, ashtu siç kërkojnë me ngulm, e lëre më t’i rrezikojë. Halli i sojit e sorollopit të tyre nuk është as rrezikimi, as pengimi, as “gjuha fyese”, as kërcënimi, as cenimi i “sigurisë së gazetarëve” e as i “lirisë së medias”. Halli i tyre është pikërisht se nuk e durojnë Lirinë e Mendimit ndryshe dhe Lirinë e Shprehjes, monopolin e të cilave e gjakojnë për qëllime kriminale. Brenga e shqetësimi i tyre thelbor është se narracioni i tyre kriminal e vrastar nuk po arrin të krijojë diskurs publik. Kaq! Për AGK nuk ka respekt!”, kishte shkruar Kurteshi në Facebook, postim i cili vazhdon të jetë ende i publikuar në profilin e tij.

Kurteshi i kishte reaguar edhe Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës, të cilët ishin shprehur të shqetësuar pasi Kurteshi iu ishte drejtuar me shprehjen “ta hangsha loçkën”, gazetares së Nacionales, Besarta Hotit.

Ai edhe në këtë reagim, i kishte quajtur “kriminelë”, mediat e gazetarët.

“Gënjeshtra e parë, unë nuk i kam dhënë kurrë intervistë një gazetareje me emrin e lartëcekur, të cilën as e kam njohur dhe as e njoh edhe sot. Aq më pak lejoj të “intervistohem” për një altoparlant kriminal përbaltës e dezinformues me titullin “Nacionale”. Përcjellja/ndjekja nga një grua e re me mikrofon në dorë dhe kamerë, as është gazetari dhe as intervistë, por është veprim i poshtër me qëllim përbaltjeje e denigrimi. Gënjeshtra e dytë, e neveritshme, fyese e me qëllim denigrues, është shprehja “ta hangsha loçkën,”. Se unë ju paskam drejtuar me një shprehje të këtillë, është gënjeshtër e llojit më të poshtër që përdorë RRGGK, një përpjekje skajshmërisht e ulët për cenim të dinjitetit të njeriut. Kurrë nuk e përdor unë këtë shprehje me njerëzit e panjohur. Unë kam njerëzit e mi të dashur, loçkat e zemrës sime! Por personi i cituar me emër e mbiemër nga RRGGK, nuk i takon këtij rrethi të njerëzve, sikurse edhe asnjë nga të RRGGK”, kishte shkruar Kurteshi.

Ai u kap edhe me paratë e të ardhurat e gazetarëve e pronarëve të mediave, që thotë se i kanë marrë nga burime të kriminalizuara.

“E sa për “kulturë[n] misogjiniste dhe seksiste”, që përpiqet ta vë në fjalorin dhe qëndrimin tim RRGGK, unë kujtoj se pikërisht RRGGK, me shërbimin që i bën kapitalit financiar nga krimi i organizuar i padronëve të tyre kriminelë, është bartëse besnike e “kulturë[s] misogjiniste dhe seksiste”, e mendësisë shtypëse patriarkale ndaj gruas në përgjithësi, që ndihmon për të “krijuar një mjedis të pasigurtë për gazetaret.” në veçanti. Kapitali financiar nga burime të kriminalizuara, si kategori ekonomike publike e mbizotëruar absolutisht nga burrat e kriminalizuar, të cilit i shërbejnë me apo pa vullnet e dëshirë, edhe “gazetaret” e lidhura në e nga RRGGK, është thelbi dhe burimi i “kulturë[s] misogjiniste dhe seksiste”, i shtypjes patriarkale të gruas, që “krij[on] një mjedis të pasigurtë për gazetaret.” Për fund, si gazetare që e konsiderojnë veten, le të hulumtojnë burimin dhe prejardhjen e kapitalit/mjeteve financiare të cilit i shërbejnë, ndoshta ndërgjegjësohen sadopak për “kulturë misogjiniste dhe seksiste” që  “krij[on] një mjedis të pasigurtë për gazetaret.”, kishte shtuar Kurteshi.

Kurteshi kishte “humbur kontrollin” në gjuhën që përdorte edhe me 1 qershor. Ai “ripërtypës të jashtëqitjeve të UDB-së”, e “vrasës me pagesë” i kishte quajtur tre gazetarë në Kosovë, Ilir Mirenën, Lirim Mehmetajn e Berat Buzhalën.

“Tërbimi i këtyre vrasësve, i bosave të tyre dhe i bashkëvrasësve, bëhet në emër të gazetarisë dhe lirisë së shprehjes, krejt nën mbrojtjen e Aleancës së Gupeve Kriminale dhe në koordinim e bashkëveprim të ngushtë me krimin e organizuar institucional brenda prokurorisë së shtetit. Këtë punë të përbashkët të këtyre vrasësve me pagesë dhe prokurorisë, fort e qartë e dëshmoi arrestimi i gazetarit Nexhat Behluli nga Lugina e Preshevës për shkak të guximit të tij për zbulimin e rrënjëve të bashkëpunimit të vrasësve medialë me pagesë në Kosovë me bosat e tyre të UDB-ës. Lufta e UDB-ës kundër shqiparëve as ka filluar dhe as përfundon tash e këtu e me këta vrasës. Jashtëqitjet i prodhon ajo, e ripërtypësit e tyre i përzgjedhin caqet dhe viktimat „rastësisht“. Por, një është e sigurtë, luftën e kanë humbur, ripërtypjen nuk ua ndalim”, kishte shkruar Kurteshi në një postim në Facebook.

Kurteshi është ftuar nga Policia e Kosovës për intervistim, pasi i njëjti i kishte akuzuar për “vrasje me pagesë” gazetarët në Kosovë, por që përmes një postimi në Facebook, kishte deklaruar se nuk kishte shkuar të intervistohet.

“Sulmuesit vrasēs me pagesē po kērkojnē publikisht mbrojtje nga viktima, duke i paraqitur viktimat si sulmues! Kēto janē praktika jugosllave tē njohura mirē nga ne, tē cilat ende i pērdorē Serbia sot. Mirēpo, nuk ka teknikē gjyqēsore qē mund ta normalizojē kētē teknikē perverze, megjithē pērpjekjet nga Prokuroria e Prishtinēs”.

“Fushatë kriminale” e “vrasës me pagesë”, i kishte quajtur Kurteshi edhe mediat që kishin publikuar grantet e shumta që Fitore Pacolli e VV-së iu kishte dhënë përmes Ministrisë së Bujqësisë familjarëve të saj.

“Fushatat kriminale të vrasësve profesionalë me pagesë, të strukur në të ashtuquajturat „media“, që në të vërtetë janë janë altoparlantët e veasësve me pagesë, si „klan“-i i serbisë, „nacionale“, albanianpost, t7, ekspress, dukagjini me ndihmën e opozitës PLAS, kundër Lëvizjes Vetëvendosje, po vazhdon me intensitet të shtuar. Pas fushatave përbaltëse „mediale“ kunder Albinit, Glaukut, Rozetës, Liburnit, Albulenës, Xhelalit, Martinit, Artanës, Hysenit, Sarandës etj. tani kanë ndërruar taktikën. Tani, në përcjellje të altoparlantëve të krimit medial, si klan-i i serbisë etj., kanë filluar të organizojnë sulme fizike publike, me fyerje, sharje, kanosje kundër grave të LVV, me burreca me mjekërr e kravatë, që si qenë të tërbuar të zgjebosur, me lehje të qartura u sulen grave, me qëllim frikësimi”, kishte shkruar Kurteshi.

Ai biles kishte akuzuar mediat se kanë për qëllim shndërrimin e hapësirës publike në hapësirë të ndaluar për anëtarët e VV-së.

“Natyrisht, këtë e bëjnë me miratimin nga prokuroria e shtetit që fshehurazi, e shpeshherë edhe hapur, duke mos vepruar, apo edhe duke vepruar sipas porosive të bosave, simpatizojnë me krimin e organizuar të vrasësve me pagesë, edhe pse e pranojnë se ka të tillë në skenën opozitare dhe mediale.\ Këta të gjithë së bashku, komplet lukunija, e dijnë se LVV, dhe sidomos gratë, nuk u frikësohen çjerrjeve, lehjeve, jargavitjeve, sulmeve, kanosjeve ashtu sic nuk u frikësuan nga shantazhet e fshehta dhe shpifjet e linçimet publike nga altoparlantët e krimit apo mikrofoni i kundërligjshëm në Kuvend. Tanimë janë të njohur botërisht të gjithë me emër e mbiemër, edhe vrasësit me pagesë, edhe gërgasësit, edhe vrasësit profesionalë me pagesë, edhe lukunia vepruese e zbatuese. Ata e dijnë ashtu si e dijmë ne, se as nuk na shantazhojnë, as nuk na ndalin, as nuk na frikësojnë dot, megjithë potencialin, jargavitjen, egërsinë, poshtërsinë, veprimet kriminale. Lëvizja Vetëvendosje është populli dhe me popullin, prandaj nuk frikësohet dhe as ndalet dot!”, kishte shkruar Kurteshi përmes një postimi në Facebook.

Ai në gusht të këtij viti, saktësisht më 21 gusht të këtij viti, në mbledhjen e KQZ-së teksa po bisedohej për certifikimin e Listës Serbe, kishte thënë se mediat në Kosovë shkruajnë shqip, por janë përkrahës të Listës Serbe.

“A ja bjen AKI dhe Policia këto dokumente nuk e di unë.  Kjo nuk është luftë mediale, sepse zoti kolegë, unë nuk dalë në asnjë media. Bile refuzoj me komuniku me mediat sepse shumë prej tyre shkruajnë shqip e janë përkrahës të tyre.”, tha Kurteshi.

Sami Kurteshi gjithashtu së fundi më 2 dhjetor, teksa në mbledhje të KQZ-së, pritej të merret një vendim për votimin jashtë Kosovës, e që VV kishte kërkuar që të votojnë edhe jashtë përfaqësive diplomatike, u mor pak edhe me mediat.
Ai iu tregonte atyre se ku e kanë vendin, pasi sipas tyre po i lexojnë dokumentet.

“Gazetarët përtej atje nuk kanë të drejtë të hyjnë këtu. Përfundimisht ne jemi marrë vesh këndi i mediave është atje, as nuk ju pengoi kërkush. Po i shohin dokumentet po këqyrin në kompjutera. Ju lutem këndi i mediave është atje. Ju lutem këndi i mediave është atje, largohuni”, iu tha Kurteshi gazetarëve.

Ishte përsëri Kurteshi, ai që më 3 dhjetor, një ditë pas “skenës” që krijoi në KQZ, shfrytëzoi profilin e tij në Facebook, që mediat t’i quaj pjesëmarrës në krim të organizuar.

“Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK), ashtu sipas një tradite të saj rutinë, e tërbuar qenka vënë sërish në mbrojtje të  pronarëve të altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit – VRASËSVE me PAGESË – me emrat si „Vox“, „periskopi.com“, „Klan-tv“, „gazetaexpress.com“, „telegrafi.com“, „reporteri.net“, „insajderi.com“, „paparaci.com“ e ndonjë tjetër të ngjashme. Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ.  Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“”, ka shkruar Kurteshi në Facebook.

Ai kishte thënë se gazetarët e kameramanët janë “të shashtrisur prej kërcënimeve, shantazheve, yshtjeve, keqtrajtimeve nga bosat dhe bosat e bosave të tyre, që janë dëshmuar si vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut”.

“Përpjekja e kësaj aleance kriminale, me impotencë reale dhe prepotencë verbale – AGK, në stilin „mbrojtja më e mirë është sulmi“ për monopolizimin dhe mbytjen e shprehjes së lirë, për ngulfatjen e zërit të qytetarit aktiv, ka rrëshqitur në veprime të padyshimta kriminale. Sidoqoftë, veprimet e tilla banditeske e të ngjashme, të „gazetarëve“ dhe „kameramanëve“ të yshtur nga pronarët gërgasës dhe bosët e tyre vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut, megjithë jargavitjen kriminale dhe lutjen djallëzore-fajësuese të aleancës së grupeve kriminale (AGK), do të përballen me të njëjtën përgjigje. Kështu do ta gjeni, sa herë dhe kurdo që kodin e gazetarisë e zëvendësoni me veprime kriminale e banditeske!”, ka shkruar Kurteshi.

Këtë deklaratë skandaloze të Kurteshit, AGK e dënoi fuqishëm, e gjuhën e përdorur të tij e quajti “të papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme”.

“Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren. Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend. AGK-ja e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, ka shkruar AGK.

Përveç Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Kurteshit i reagoi edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE.

“BE-ja në Kosovë dënon sulmin dhe gjuhën e përdorur nga anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili e etiketoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK si një “aleancë grupesh kriminale” dhe kërkon që praktika të tilla të marrin fund. Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – BE do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj”, thuhej në reagimin e BE-së.

Sjellje të papranueshme e quajtën nga OSBE, qasjen që kishte Kurteshi me mediat dhe AGK-në.

“Liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për demokracinë e Kosovës. Përfaqësuesit politikë në organet e pavarura duhet të mbështesin standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit”, thuhej në reagimin e OSBE-së.

Ndonëse gjuha e Sami Kurteshit është skandaloze, e papërshtatshme dhe përmban akuza të forta, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk reagoi asnjëherë askush. Ndonëse Albin Kurtit e VV-së iu bë thirrje që të reagojnë dhe ta largojnë Sami Kurteshin nga KQZ, ata ende nuk kanë marrë asnjë vendim për të e biles as nuk janë deklaruar asnjëherë në lidhje me këtë temë.

Së fundi ishte Glauk Konjufca i cili në momentin që fliste se si ishin ngutur e gabuar me qëndrimet ndaj mediave dhe se tani do jenë të pranishëm më tepër në media, i tha moderatorit në T7 që mos ta ulë nivelin e bisedës kur pyetej për Sami Kurteshin, saktësisht njeriun e Vetëvendosjes.

Sami Kurteshi vazhdon të mbetet përfaqësues i VV-së në KQZ, e aktiv në secilin organizim të Vetëvendosjes si parti./Lajmi.net/