Nga Milano në Paris brenda natës – rrëfimi i Arlind Sadikut për jetën e gazetarit sportiv, ndeshja më e veçantë përballja Inter-Barcelona
Gazetari i njohur i sportit në Kosovë dhe rajon, Arlind Sadiku, në një intervistë për lajmi.net ka ndarë përvojën e tij profesionale nga udhëtimet e shumta gjatë vitit 2025, ku ka përcjellë nga afër ngjarjet më të mëdha futbollistike në Evropë. Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka vizituar 13 shtete evropiane…
Lajme
Gazetari i njohur i sportit në Kosovë dhe rajon, Arlind Sadiku, në një intervistë për lajmi.net ka ndarë përvojën e tij profesionale nga udhëtimet e shumta gjatë vitit 2025, ku ka përcjellë nga afër ngjarjet më të mëdha futbollistike në Evropë.
Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka vizituar 13 shtete evropiane dhe ka raportuar nga 16 stadiume jashtë Kosovës, përfshirë disa nga më ikoniket si “Santiago Bernabeu”, “Allianz Arena”, “San Siro” dhe “Parc des Princes”.
Sadiku ka veçuar si ndeshjen më emocionuese përballjen Inter – Barcelona, të cilën e ka cilësuar si një nga më të mirat në karrierën e tij profesionale, për shkak të dramës, golave dhe atmosferës së jashtëzakonshme në stadiumin “Giuseppe Meazza”.
Ai ka theksuar gjithashtu se stadiumi më mbresëlënës ku ka punuar këtë vit mbetet “Santiago Bernabeu”, duke vënë në pah kushtet luksoze të punës dhe organizimin në krahasim me stadiumet në Kosovë.
Duke folur për sfidat e gazetarisë sportive, Sadiku ka përmendur aspektin financiar dhe lodhjen nga udhëtimet intensive, por edhe kënaqësinë profesionale që vjen nga raportimi në terren.
Ai ka dhënë një mesazh për gazetarët e rinj të sportit, duke i inkurajuar të dalin nga zyrat dhe të punojnë sa më shumë në terren, pasi vetëm përmes përvojës praktike, sfidave dhe kontakteve të drejtpërdrejta mund të zhvillohen dhe të ndërtojnë një karrierë të qëndrueshme në gazetari.
INTERVISTA E PLOTË E ARLIND SADIKUT PËR LAJMI.NET:
PYETJE: Në sa vende të botës ke udhëtuar këtë vit, si gazetar për të përcjellur ngjarjet sportive?
ARLIND SADIKU: Gjatë vitit 2025, kam vizituar 13 shtete të Evropës kryesisht për ndeshjet kualifikuese të kombëtares së Shqipërisë, Kosovës dhe Champions League.
PYETJE: Në sa stadiume jashtë Kosovës keni qenë?
ARLIND SADIKU: Gjatë vitit 2025 kam qenë në 16 stadiume jashtë Kosovës. Disa prej tyre janë: Santiago Bernabeu, Allianz Arena, San Siro, Parc des Princes, Puskas Arena, Diego Armando Maradona etj.
PYETJE: Cila është ndeshja më emocionuese për ju?
ARLIND SADIKU: Ndeshja më emocionuese ka qenë Inter – Barcelona. Ishte një natë me shi që nuk do ta harroj kurrë. Kjo është një prej ndeshjeve më të mira që kam raportuar në karrierë, pasi pati ndryshime të shpeshta të rezultatit dhe gola dramatik. Inter fitoi 4-3 dhe atmosfera që u krijua gjatë ndeshjes në shkallët e stadiumit “Giusseppe Meazza” e jashtëzakonshme. Kur shënonte gol Inter, në shkallët e stadiumit krijohej ndjenja se ka tërmet në Milano.
PYETJE: Cili ka qenë stadiumi më i bukur që keni qenë këtë vit?
ARLIND SADIKU: Stadiumi më i bukur definitivisht ka qenë Santiago Bernabeu. Kushtet kane qenë jashtëzakonisht të përshtatshme për punë. Lirisht mund të themë që kushtet janë luksoze në krahasim më stadiumet ku punojmë në Kosovë. Aty kam raportuar ndeshjen Real Madrid – Juventus, ku për fat të keq nuk luajti Edon Zhegrova, që ishte në bankë rezervë.
PYETJE: Duke qenë se keni qenë në shumë ngjarje sportive jashtë vendit, cili është dallimi me ato në Kosovë?
ARLIND SADIKU: Dallimi më i madh me ndeshjet në Kosovë është atmosfera, prezenca e shikuesve dhe emocioni që të japin ndeshjet kur i përcjellë nga tribuna. Mungesa e shikuesve në Kosovë e bën ndeshjen e ‘vdekur’.
PYETJE: Cilat janë vështirësitë e udhëtimeve si gazetar i sportit?
ARLIND SADIKU: Padyshim, vështirësia më e madhe është aspekti financiar. Pasi udhëtimet, sidomos në qytetet e mëdha të Evropës janë të kushtueshme. Por me punën time kam arritur të gjej bashkëpunëtorë dhe sponsorë të cilët më përkrahin në këtë drejtim.
PYETJE: A keni pasur eksperienca të pakëndshme në ndonjërën nga udhëtimet?
ARLIND SADIKU: Udhëtimet e punës jashtë vendit janë afatshkurtër. Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të martën isha në ndeshjen Inter – Barcelona në Milano, aty nuk rezervova hotel fare, sepse menjëherë pas ndeshjes do të udhëtoja për Paris, në ndeshjen Paris Saint Germain – Arsenal. Gjatë tërë natës isha pagjume nga udhëtimi dhe të nesërmen kam punuar tërë ditën deri në mesnatë në Paris.
PYETJE: Cili është mesazhi juaj për gazetarët e rinj të sportit?
ARLIND SADIKU: Mesazhi im për gazetarët e rinjë është që të dalin nga zyrat dhe të punojnë sa më shumë në terren. Puna në terren është goxha sfiduese për të ndihmon për tu zhvilluar si gazetar, pasi përballesh me shumë sfida, por njofton shumë njerëz dhe krijon lidhje që mund të të shërbejnë gjatë gjithë jetës./lajmi.net/