A është Japonia një vend pa kosovarë?- Në vitin që lamë pas askush nuk aplikoi për vizë në Japoni

Për shumëkënd, Japonia është vendi i ëndrrave për ta vizituar. Laramania që sjell ky vend, kultura e njerëzve atje dhe gjithçka që mund të shohësh e ta vizitosh e bën edhe më të madhe dëshirën për të qëndruar së paku për një kohë të shkurtër në këtë vend. Por për çudi, kosovarët nuk udhëtuan drejt…

Lajme

03/01/2025 13:53

Për shumëkënd, Japonia është vendi i ëndrrave për ta vizituar.

Laramania që sjell ky vend, kultura e njerëzve atje dhe gjithçka që mund të shohësh e ta vizitosh e bën edhe më të madhe dëshirën për të qëndruar së paku për një kohë të shkurtër në këtë vend.

Por për çudi, kosovarët nuk udhëtuan drejt Japonisë- së paku jo duke marrë viza në këtë shtet.

Anipse numri i qytetarëve të Kosovës të cilës kanë lënë Kosovën është mjaft i lartë, duke ndikuar kështu edhe në uljen e numrit të popullsisë në vend, Japonia duket se nuk ishte opsionale as për këtë.

Kosovarët nuk shprehën interesin për të jetuar e punuar atje, për dallim nga vendet e shumta të Evropës që vazhdojnë të jenë zgjidhja e parë e tyre kur duan të largohen për një punë apo jetesë më të mirë atje.

Në lidhje me Japoninë dhe jetesën atje, lajmi.net ka pyetur Ambasadën e Japonisë në Kosovë në lidhje me vizat që kanë lëshuar gjatë këtij viti për shtetasit e Kosovës.

Sipas kësaj ambasade, askush nuk zgjodhi të punojë atje- ndryshe nga shtetasit japonez që shpesh herë po zgjedhin vendin tonë për të punuar me profesione të ndryshme.

Asnjë vizë pune nuk është lëshuar gjatë vitit 2024 nga Ambasada e Japonisë për kosovarët pasi që sipas kësaj ambasade askush nuk aplikoi, shkruan lajmi.net.

Përveç vizave të punës, asnjë vizë për bashkim familjar gjithashtu nuk është lëshuar nga po e njëjta ambasadë, pasi që siç bëhet e ditur për të marrë një vizë të tillë duhet të jete bashkëshorti ose fëmija i një personi që qëndron ligjërisht në Japoni.

Sipas ambasadës japoneze, asnjë rast të tillë nuk ka pasur gjatë këtij viti- e kjo lë të kuptohet se në fakt se edhe nëse ka ndonjë kosovar që jeton në Japoni, nuk kërkoi bashkim familjar apo diçka të ngjashme.

“Numri i vizave të lëshuara nga ambasada jonë nuk ka ndryshuar pas liberalizimit të vizave për Kosovën. Ne nuk e kemi ndryshuar asnjë procedurë për të marrë vizë pune pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ambasada e Japonisë për lajmi.net.

Një vit pa asnjë aplikim për viza japoneze nga Kosova mund të shihet si një tregues i lidhjeve të dobëta ndërmjet dy vendeve.

Për të ardhmen, forcimi i bashkëpunimit kulturor, ekonomik dhe diplomatik mund të shërbej si një urë që do të nxisë interesin e ndërsjellë dhe do të hapë rrugë të reja, duke e bërë Japoninë më të arritshme për qytetarët e Kosovës.

E në këtë aspekt duket se pak punë kanë kryer institucionet përgjegjëse të Kosovës për marrëdhënie me jashtë.

Edhe pse bëhet thirrje që Kosova të jetë e afërt me vendet e huaja, e sidomos Japonia si një vend me zhvillime ekstreme ekonomike kjo siç duket mbeti thjesht thirrje. Japonia dhe Kosova përpos bashkëpunimeve të pakta në politikë, siç duket kanë edhe qytetarët mjaftë larg nga njëri-tjetri. /Lajmi.net/