Mbrojtja e Thaçit: Prokuroria e Hagës i largoi dy dëshmitarë me rëndësi jetike për gjykim të drejtë

Me synimin për ta shkurtuar procesin, sipas urdhrit të gjyqtarëve, 11 dëshmitarë i largoi Prokuroria e Hagës nga lista e plotë e dëshmitarëve në gjykimin e krerëve të UÇK-së. Megjithatë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka shprehur kritika për dy dëshmitarë që ishin pjesë e listës së largimit. Sipas një parashtrese të avokatit të Thaçit, ata…

Lajme

12/10/2024 12:11

Me synimin për ta shkurtuar procesin, sipas urdhrit të gjyqtarëve, 11 dëshmitarë i largoi Prokuroria e Hagës nga lista e plotë e dëshmitarëve në gjykimin e krerëve të UÇK-së. Megjithatë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka shprehur kritika për dy dëshmitarë që ishin pjesë e listës së largimit. Sipas një parashtrese të avokatit të Thaçit, ata dy dëshmitarë do të ishin me rëndësi jetike për gjykimin ndaj Thaçit.

Dy dëshmitarë në rastin e krerëve të UÇK-së që ishin planifikuar të dëshmojnë për një rast ku pretendohet të jetë përfshirë Hashim Thaçit, janë larguar nga lista e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në gjykatore.

Largimi i tyre nga Prokuroria e Hagës është bërë, sipas tyre, për ta shkurtuar procesin, sipas urdhrit të gjyqtarëve.

Megjithatë, këta dy dëshmitarë, po del se kanë qenë me rëndësi të madhe për mbrojtjen e Hashim Thaçit. Kjo pasi të dy, do të dëshmonin për një rast konkret ku pretendohej të kishte qenë i përfshirë ish-udhëheqësi i UÇK-së.

Sipas parashtresës së avokatëve të Thaçit, klienti i tyre akuzohet në shumë pak raste për përfshirje të drejtpërdrejt. E ndër rastet e vetme kur ai akuzohet për përfshirje të drejtpërdrejt, Prokuroria e Hagës nuk po lejon dëshmitarët të dëshmojnë në gjykatore.

Në këtë parashtresë të cilën e ka parë Nacionale, thuhet se këta dy dëshmitarë do të ishin me rëndësi të madhe për një gjykim të drejtë, pasi ata ishte planifikuar të flasin për një rast konkret.

“(REDAKTUAR) kanë informacion të lidhur drejtpërdrejt me krimin e pretenduar. E rëndësishme është se disa dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë janë marrë në pyetje para Trupit Gjykues në bazë të deklaratave të mëparshme të [REDAKTUAR] në lidhje me rrethanat e pretenduara. Mospërputhjet ndërmjet rrëfimeve të [REDAKTUAR] dhe dëshmitarëve të tjerë të Prokurorisë ngrenë dyshime të rëndësishme për përfshirjen e pretenduar të drejtpërdrejtë të z.Thaçi. Ata gjithashtu i bëjnë dëshmitë e [REDAKTUAR] shumë të rëndësishme për çdo vlerësim të besueshmërisë së këtyre dëshmitarëve të tjerë të Prokurorisë. Për këto arsye, paraqitja dhe dëshmia e [REDAKTUAR] para Trupit Gjykues është një hap thelbësor drejt të vërtetës”, thuhet në këtë parashtresë, raporton Nacionale.

Mbrojtja e Thaçit i ka bërë thirrje gjyqtarëve që ta urdhërojnë Prokurorinë që këta dëshmitarë të ftohen, në të kundërtën do ta shkelte përgjegjësinë për të vërtetën. Sipas mbrojtjes, nëse Prokuroria dëshiron ta shkurtojë kohën, duhet të largojë dëshmitarët që nuk ofrojnë prova të drejtpërdrejta kundër 4 të akuzuarve, e jo për rastet konkrete që mund ta përcaktojnë edhe vendimin përfundimtar.

“Një rishikim i provave të propozuara të [REDAKTUAR] tregon rëndësinë e provave të tyre për pretendimin e Prokurorisë se z. Thaçi ishte i përfshirë drejtpërdrejt në atë rast. Së pari, të dy kanë njohuri të nxjerra nga përvoja e tyre e ngjarjeve, dhe ndërveprimet dhe marrëdhëniet e tyre me personat e përfshirë dhe të implikuar. Dëshmitë e kërcënimeve për dhunë, vrasje, gjakmarrje dhe konflikte të mëparshme ofrojnë motive dhe shpjegime alternative për [REDAKTUAR], të cilat duhet të jenë pjesë e çdo vlerësimi të arsyeshëm nëse z. Thaçi është penalisht përgjegjës”, thuhet më tutje në këtë parashtresë.

Sipas avokatëve, këta dy dëshmitarë të larguar, mund të vërtetojnë edhe disa kontradikta që janë thënë nga dëshmitarë të tjerë në Hagë, për temën e njëjtë. Nëse këta dëshmitarë nuk dëgjohen, atëherë e vërteta mund të fshehet.

“Duke miratuar këtë qasje të arsyeshme, [REDAKTUAR] kanë informacione të lidhura drejtpërdrejt me pretendimin e Prokurorisë se z. Thaçi ishte i përfshirë drejtpërdrejt në [REDAKTUAR]. Dëshmia e propozuar lidhet gjithashtu drejtpërdrejt me besueshmërinë e dëshmitarëve të tjerë të Prokurorisë, të cilët janë marrë në pyetje për aspekte specifike të deklaratave të mëparshme të [REDAKTUAR]. Dëshmia është domethënëse për rastin në tërësi, duke pasur parasysh se ato kanë të bëjnë me një nga pretendimet e pakta për përfshirje të drejtpërdrejtë të z. Thaçi në krimet e akuzuara”, thuhet në parashtresë.

Mbrojtja e Thaçit ka theksuar se nëse Prokuroria nuk i fton këta dy dëshmitarë, atëherë ata ka mundësi të mos e pranojnë kërkesën e mbrojtjes për të dëshmuar.

“Si i tillë, dhe në përputhje me këtë kornizë, Trupi Gjykues duhet të detyrojë Prokurorinë të paraqesë provat e [REDAKTUAR], me arsyetimin se është e nevojshme për të vërtetuar të vërtetën”, thuhet më tutje aty.

Si rezultat, avokatët kanë kërkuar që kërkesa e tyre të aprovohet, dhe Prokuroria të obligohet që këta dëshmitarë të dëshmojnë në gjykatë./Nacionale/