29 vatra zjarri brenda tetë oreve, Muharremi: Ministrat, a thu janë gjallë a jo?
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj mungesës së reagimit të institucioneve shtetërore në përballje me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë Kosovën ditët e fundit. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ai ka ngritur shqetësimin për pasivitetin e qeverisë dhe ministrave, të cilët – sipas tij – nuk po tregojnë asnjë…

Lajme
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj mungesës së reagimit të institucioneve shtetërore në përballje me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë Kosovën ditët e fundit.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ai ka ngritur shqetësimin për pasivitetin e qeverisë dhe ministrave, të cilët – sipas tij – nuk po tregojnë asnjë lloj përgjegjësie për krizën në terren.
Muharremi thotë se në vetëm tetë orë janë raportuar 29 vatra zjarri aktive në vend, por reagimi institucional është thuajse inekzistent, transmeton lajmi.net
“Sot po digjet vendi, literalisht janë 29 vatra zjarri brenda tetë orëve po raportohet se kanë qenë aktive. Ministrat, a thu janë gjallë a jo? A mos janë shku veç për ndonjë foto për fushatë, si herën e fundit kur u kallshin arat e ata shkonin me bo foto duke hangër bostanë… pa u interesu fare çka po ndodhë me bujqësinë tonë që u kallke,” shkruan ai.
Ai vlerëson se vendi aktualisht nuk ka as ministra funksionalë, as deputetë në kuptimin përfaqësues të fjalës, duke i cilësuar përfaqësuesit institucionalë si jofunksionalë dhe të paangazhuar në përballjen me emergjencat.
“Ministrat sot janë në Kuvend si deputetë. Deputetët sillen si ministra. Por në realitet nuk kemi as ministra, as deputetë. Kjo ndodh kur i don të gjitha. Mbetesh pa kurgjo. Në fakt, ne mbetemi pa asgjë. Pa qeveri, pa ministra, pa deputetë, pa Kuvend. Veç me zjarr edhe tym,” përfundon analisti.
Reagimi i Muharremit vjen në një kohë kur Kosova po përballet me temperatura ekstreme dhe vatra të shumta zjarri, duke rrezikuar jo vetëm pasurinë natyrore dhe bujqësore, por edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve./lajmi.net/