224 raste me fruth në Kosovë, IKShPK u bën thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 18 tetor 2026 janë konfirmuar 224 raste me fruth në vend, prej të cilave 21 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Sipas të dhënave të IKShPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të…

Lajme

19/10/2026 15:10

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 18 tetor 2026 janë konfirmuar 224 raste me fruth në vend, prej të cilave 21 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

Përmes një komunikate, IKShPK ka theksuar se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme dhe më efikase për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.

Instituti ka bërë të ditur se, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, është intensifikuar edhe vaksinimi plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar me kohë.

Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3 mijë e 481 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.

IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke u bërë thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre i kanë marrë vaksinat sipas kalendarit të përcaktuar.

Sipas institutit, vaksinimi i rregullt dhe vaksinimi plotësues janë thelbësorë për të rritur numrin e fëmijëve të mbrojtur dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të fruthit në Kosovë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: