Aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Suharekës, u paguan mbi 24 mijë euro për ndërtimin e një ure metalike që nuk u ndërtua kurrë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas kësaj aktakuze, të njëjtit përmes kompetencave të tyre dhe veprimeve të ndrzshme, kanë shkaktuar dëm buxhetit të…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas kësaj aktakuze, të njëjtit përmes kompetencave të tyre dhe veprimeve të ndrzshme, kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, 24 mijë e 308 euro, duke deklaruar se kanë ndërtuar një urë metalike, në rrugën që lidh fshatin Ngucat, ndërsa e njëjta nuk është ndërtuar kurrë.
“Sipas aktakuzës, me datë 14.07.2019, në Suharekë, të pandehurit B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të mundësojnë përfitim të dobie për tjetrin dhe shkaktojnë dëm buxhetit, në atë mënyrë i pandehuri B.K., menaxher i kontratës së nënshkruar ndërmjet Komunës së Suharekës dhe operatorit ekonomik “G.” Sh.P.K lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, ka marrë pjesë në përpilimin e raportit, në të cilin janë paraqitur të dhëna të pasakta lidhur me përshkrimin urës metalike. I pandehuri M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku ishte paraparë ndërtimi i urës metalike, për të cilën ishte realizuar pagesa, edhe pse një urë e tillë nuk ishte ndërtuar. I pandehuri E.Sh., drejtor i shërbimeve publike dhe përfaqësues i njësisë së kërkesës, nuk i ka kryer detyrimet e tij lidhur me përgatitjen e detyrës projektuese, specifikimeve teknike si dhe para masës dhe para llogarisë, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje ndërmjet dokumenteve projektuese. I pandehuri A.E., në cilësi të hartuesit të projektit, ka përgatitur para masën dhe para llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, ku ka qenë i paraparë ndërtimi i urës metalike ndërsa nuk ishte i paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa në projekt ishte e kundërta, ishte paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa nuk ishte paraparë fare ndërtimi i urës metalike. Ndërsa, i pandehuri B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe i pandehuri Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur përmes tenderit, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës, edhe pse ura metalike e paraparë nuk ishte ndërtuar“, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PTh në Prizren.
Të pandehurit e lartcekur, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 24,308.00 €, dhe me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e përfaqësuesit të grupit të operatorit ekonomik të lartcekur, ka vepruar në kundërshtim me procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, ka paraqitur raportin në të cilin kishte deklaruar si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, në vlerë prej 24,308.00 €, edhe pse ura metalike nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. /Lajmi.net/