20 shefa të IPK-së si ushtrues detyre, konkursi nuk është afër
Prej dhjetorit 2020, Inspektorati Policor i Kosovës udhëhiqet nga Kushtrim Hodaj.
Lajme
Kompetencat e plota të detyrës i mori pas 5 muajsh që ishte vetëm ushtrues detyre.
Këso fati nuk patën edhe 20 vartësit e tij në këtë institucion.
Prej marsit 2021, 3 shefa departamentesh, e 17 divizionesh janë akoma me pozitë Ushtrues Detyre i drejtorit. Për këto pozita që ishin caktuar me vendim tek pas 6 muajsh pasi ishin emëruar vetëm me anë të emailit, ka qenë i hapur një konkurs.
“Ne patëm shpallur një process për zgjedhjen e zyrtarëve për gjitha pozitat por ishin zgjedhjet dhe ishte kërkesë e qeverisë dhe ministrit që të analizohen të gjitha proceset rekrutuese brenda institucioneve.” – ka deklaruar Kushtrim Hodaj, kryeshef i IPK-së
Anulimi që u rekomandua nga qeveria e re u bë për një arsye.
“Ka qenë kërkesë sepse ka pasur konkurse që janë shpallur gjatë fushatës së zgjedhjeve, është pritë të ketë një analizë.”
Kryeministri që doli nga këto zgjedhje, nuk pati ndonjë koment për këtë proces
Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Brendshme i thanë Klanit përmes telefonit se një konkurs i ri nuk është hapur tash e 10 muaj ngaqë po mëton të ndryshohet Rregullorja për Caktimin e Pozitave të Larta Drejtuese e cila është akoma në konsultim të brendshëm.
Sipas Rregullores aktuale në fuqi, përveç në raste të mungesës së mbajtësit të postit për shkaqe shëndetësore, asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk duhet të plotësohet me ushtrues detyre për më shumë se 3 muaj.