​Shpërthime në pjesën indiane të Kashmirit, çfarë ndodhi me armëpushimin?

India ka akuzuar Pakistanin për shkelje të armëpushimit, pas shpërthimeve ende të paqarta. Shpërthime të forta u dëgjuan në qytetin Srinagar në pjesën indiane të Kashmirit, vetëm disa orë pasi u njoftua një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit. Ministri i Jashtëm i Indisë Vikram Misri iu drejtua raporteve se shpërthime u dëgjuan pas një armëpushimi…

Bota

10/05/2025 20:45

India ka akuzuar Pakistanin për shkelje të armëpushimit, pas shpërthimeve ende të paqarta.

Shpërthime të forta u dëgjuan në qytetin Srinagar në pjesën indiane të Kashmirit, vetëm disa orë pasi u njoftua një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit.

Ministri i Jashtëm i Indisë Vikram Misri iu drejtua raporteve se shpërthime u dëgjuan pas një armëpushimi midis dy vendeve.

“Gjatë orëve të fundit ka pasur shkelje të përsëritura të marrëveshjes që kemi arritur në fillim të mbrëmjes. Kjo është shkelje e marrëveshjes së arritur më herët sot”, tha ai.

Misri shtoi se forcat e armatosura indiane janë “udhëzuar të përgjigjen me forcë ndaj shkeljeve përgjatë kufirit”, duke i bërë thirrje Pakistanit që “të ndalojë shkeljet”.

Politikani indian Harsh Sanghavi tha se “Disa dronë janë parë në rrethin Kutch. Tani do të vendoset një ndërprerje totale. Qëndroni të sigurt, mos u frikësoni.”

Omar Abdullah, kreu i qeverisë së Jammu dhe Kashmir, në një postim në platformën X, tha se shpërthime po dëgjohen në të gjithë Srinagar.

Pakistani ka hedhur poshtë akuzat se ka shkelur armëpushimin me Indinë.

CNN raportoi një seri shpërthimesh këtë mbrëmje me orën lokale, të ndjekura nga një ndërprerje e energjisë elektrike. Shkaku i shpërthimeve nuk është ende i qartë, transmeton KosovaPress.

Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump tha se India dhe Pakistani kishin rënë dakord për një “armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm” pas katër ditësh luftime.