Vazhdojnë kërkimet për trupin e 33-vjeçarit të zhdukur në liqenin e Ujmanit

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari, i cili dyshohet se është zhdukur në liqenin e Ujmanit. Operacioni po zhvillohet me intensitet të lartë prej disa ditësh, por deri më tani nuk është arritur të lokalizohet trupi i viktimës, transmeton lajmi.net Në aksionin e kërkimit janë të angazhuara njësitë…

Lajme

29/07/2025 12:59

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari, i cili dyshohet se është zhdukur në liqenin e Ujmanit.

Operacioni po zhvillohet me intensitet të lartë prej disa ditësh, por deri më tani nuk është arritur të lokalizohet trupi i viktimës, transmeton lajmi.net

Në aksionin e kërkimit janë të angazhuara njësitë e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat janë të përcjella nga trupat e KFOR-it, si dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, përfshirë zhytës profesionistë dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.

Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm dhe përpjekjeve të pareshtura në terren, operacioni deri më tani nuk ka dhënë rezultat konkret.

Pjesëmarrja e FSK-së në operacion është bërë në koordinim me KFOR-in, duke marrë parasysh kufizimet që burojnë nga marrëveshja me NATO-n, sipas së cilës FSK-së nuk i lejohet hyrja në veri të vendit pa miratimin e aleatëve ndërkombëtarë.

Autoritetet vazhdojnë të jenë të përkushtuara në ofrimin e ndihmës dhe bashkërendimin institucional për të përmbyllur me sukses këtë operacion kërkimi./lajmi.net/