​Trump: Putin duhet të ndalojë të shtënat, Zelensky dëshiron një marrëveshje

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur shumë i zhgënjyer me Rusinë dhe ka bërë thirrje që presidenti Vladimir Putin të ndalojë të shtënat dhe të arrijë një marrëveshje, raportojnë mediat amerikane, sipas agjencisë së lajmeve ANSA. Pas një takimi me Volodymyr Zelenskyn në Shën Pjetër, Trump tha se presidenti ukrainas është “më i qetë”, dëshiron…

Bota

28/04/2025 11:19

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur shumë i zhgënjyer me Rusinë dhe ka bërë thirrje që presidenti Vladimir Putin të ndalojë të shtënat dhe të arrijë një marrëveshje, raportojnë mediat amerikane, sipas agjencisë së lajmeve ANSA.

Pas një takimi me Volodymyr Zelenskyn në Shën Pjetër, Trump tha se presidenti ukrainas është “më i qetë”, dëshiron një marrëveshje dhe po bën një punë të mirë, duke shtuar se Zelensky kërkoi më shumë armë.

Në lidhje me Krimenë, Trump tha “mendoj se po” – duke nënkuptuar se Zelensky mund të pranojë dorëzimin e saj, dhe shtoi “Krimea u dorëzua vite më parë, pa një të shtënë, pyteni Obamën”.

Takimi në Bazilikën e Shën Pjetrit, i mbështetur nga Selia e Shenjtë, ka ndezur shpresat për paqe, megjithatë rruga mbetet e vështirë. Kievi po kërkon që partnerët të ushtrojnë presion mbi Moskën për armëpushim, ndërsa Kremlini insiston se me Uashingtonin ka dakordësi për disa çështje, përfshirë faktin që Krimea është ruse dhe Ukraina nuk duhet të hyjë në NATO.

Në Uashington, durimi po shteron. SHBA po kërkon që palët të pranojnë kompromise brenda javës. Takimet në Romë mes Zelenskyt, Trump dhe liderëve të tjerë, kanë intensifikuar presionin diplomatik ndaj Rusisë. Trump akuzoi Putinin për “tallje” me përpjekjet për paqe dhe paralajmëroi sanksione të reja.

Moska u përpoq të minimizojë tensionet duke theksuar bashkëpunimin me amerikanët, ndërsa ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov akuzoi Evropën dhe Zelenskyn për instrumentalizim të nismës së Trump. Nga ana tjetër, Ukraina po kërkon të forcojë aleancat dhe vazhdon të kërkojë një armëpushim të plotë e të pakushtëzuar.

Në kuadër të funeralit të Papës, Zelensky kërkoi mbështetje nga Selia e Shenjtë dhe aleatët, duke theksuar se paqja nuk mund t’i imponohet viktimës. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se “Marrëveshja kërkon që të dyja palët të heqin dorë nga diçka. Kështu përfundon një luftë, dhe këtë po përpiqemi të bëjmë”.