Takimi me Admiralin Wikoff: Kurti thekson se NATO është garancia më e mirë për siguri

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff. Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe admiralit Wikoff, me ç’rast Kurti e uroi atë për marrjen e detyrës së re, duke shprehur…

Lajme

12/01/2026 22:15

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff.

Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe admiralit Wikoff, me ç’rast Kurti e uroi atë për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë. Ai vlerësoi komunikimin dhe ndërveprimin e mirë të Qeverisë së Kosovës me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, në funksion të garantimit të sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët.

Gjatë takimit, Kurti theksoi se Kosova përbën një rrëfim suksesi të ndërhyrjes së NATO-s, duke nënvizuar se çlirimi dhe pavarësia e vendit janë shndërruar në bazë të zhvillimit ekonomik, shtetndërtimit demokratik dhe mirëqenies sociale. Ai shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për aleancën veri-atlantike dhe rolin e saj vendimtar.

Duke folur për situatën e sigurisë, kryeministri Kurti riafirmoi synimin dhe angazhimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke e cilësuar këtë si përgjigjen më të mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Ai theksoi se siguria e Kosovës fillon me sigurinë e kufijve të saj.

Kurti gjithashtu e informoi admiralin Wikoff për veprimet dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për investimet e vazhdueshme në sektorin e mbrojtjes.

Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për bisedën dhe për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it dhe NATO-s në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.