Sokol Bashota nis dëshminë në Speciale

 Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari Sokol Bashota, i cili mban kodin W04401 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kraniqit. Ky dëshmitar është i përfaqësuar nga avokati kujdestar nga Kosova, Artan Qerkini. Bashotës iu dhanë garanci nga trupi gjykues që dëshmia e…

Lajme

28/11/2024 13:05

 Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari Sokol Bashota, i cili mban kodin W04401 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kraniqit.

Ky dëshmitar është i përfaqësuar nga avokati kujdestar nga Kosova, Artan Qerkini. Bashotës iu dhanë garanci nga trupi gjykues që dëshmia e tij nuk do të përdoret për ta ndjekur atë penalisht, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë klientin tim e kam njoftu për të drejtat që ka sipas Rregullës 151 dhe kjo është pikërisht çështja e parë që desha ta ngris, ka të bëjë pikërisht me privilegjin e mosinkriminimit sipas Rregullit 151, paragrafit 3. Kërkoj që fillimisht gjykata ta merr një vendim lidhur me këtë çështje dhe pastaj të procedohet tutje”, tha Qerkini.

Gjykatësi Charles Smith III kërkoi sqarim nga avokati Qerkini në rast që kjo deklaratë e tij nënkupton që ai po kërkon garanci për klientin e tij. Ndërsa, avokati u përgjigj me “po”.

Fillimisht, Smith ia kujtoi dëshmitarit se ai është i thirrur që të japë dëshmi dhe është i detyruar që ta thotë të vërtetën. Ndërsa, në rast që nuk e bën këtë, ai tha  se do të merren masa ndaj tij.

Lidhur me kërkesën për ofrimin e garancisë se ajo që do të thotë dëshmitari nuk do të rezultojë me ndjekjen penale të tij, nuk pati kundërshtime Prokuroria, e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling.

“Trupi gjykues konstaton se duke marrë parasysh dëshminë e parashikuar të dëshmitarit, relevancës unike për çështjen dhe natyrës së kufizuar të informacionit inkriminues, ne vlerësojmë se kriteret e Rregullës 151, paragrafi 2, përmbushen. Për rrjedhojë, trupi gjykues e detyron dëshmitarin që të japë dëshmi. Në pajtim të Rregullës 151, paragrafi 3, trupi gjykues e garanton ose jep garancitë e veta për dëshmitarin që të japë dëshmi në përgjigje të pyetjeve relevante që; a) do të jepen me dyer të mbyllura me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë nuk kërkohet dhe nuk do të nxjerren në një mënyrë për publikun në Kosovë apo palë të treta dhe b) nuk do të jepen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kundër personit në ndjekje penale pasuese nga ZPS përveçse sipas Ligjit dhe Rregullores”, tha Smith.

Ndërsa, gjykatësi kërkoi nga dëshmitari dhe avokati kujdestar që të tregojnë se në çfarë forme dëshirojnë që të zhvillohet seanca.

“A ka ndonjë shqetësim sa i takon mbajtjes së seancës me dyer të mbyllura, në kuptimin që të mbyllet galeria dhe informacioni të mos jepet për publikun? A dëshironi që të vazhdohet në seancë të mbyllur apo deklarata e klientit tuaj të jepet në seancë publike?”, pyeti Smith.

Qerkini tha se nga konsultimet që ka pasur me klientin e tij, ai ka vendosur që të dëshmojë në seancë publike.

“Ai ka vendos që të dëshmojë në seancë të hapur dhe t’i hiqen të gjitha ato masat mbrojtëse të caktuara nga gjykata” tha Qerkini.

Si rrjedhojë, pyetjet për dëshmitarin i filloi përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling i cili kërkoi të pranohen në prova materiale deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët, së bashku me materialet përcjellëse, gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.