Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon nga Qeveria të ndalojë shtrenjtimin e energjisë

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërhyjë për të ndaluar shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke theksuar se kjo rritje do të dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit. Kryetari i shoqatës, Gani Durmishi, ka deklaruar se tashmë po përballen me kosto të larta për ambalazhin, pagat…

Lajme

23/03/2025 11:47

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërhyjë për të ndaluar shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke theksuar se kjo rritje do të dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit.

Kryetari i shoqatës, Gani Durmishi, ka deklaruar se tashmë po përballen me kosto të larta për ambalazhin, pagat e punëtorëve dhe shpenzime të tjera operative.

Ai thekson se, pavarësisht përpjekjeve për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, një rritje e re e tarifave të energjisë do t’i detyrojë të shtrenjtojnë produktet e qumështit.

“Me gjithë sakrificat e bëra deri tani për të ruajtur një paqe sociale për konsumatorët në Kosovë, nëse çmimi i energjisë rritet, do të detyrohemi të veprojmë. Shpresojmë në mirëkuptimin e klientëve tanë,” thuhet në reagimin e shoqatës.

Tutje, kjo shoqatë thotë se industria e qumështit në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të goditur nga rritja e kostove të prodhimit dhe kërkon nga institucionet që të parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të shtrenjtimit të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte bazike ushqimore.