Seanca në OKB: Kërkohet ekstradimi i Radoiçiqit dhe mbyllja e UNMIK-ut në Kosovë – Krejt çka u deklarua në këtë seancë për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur të hënën për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Seanca u karakterizua nga përballje e drejtpërdrejtë ndërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe homologut të saj serb, Marko Gjuriç. Në fokus ishte raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së,…

Lajme
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur të hënën për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Seanca u karakterizua nga përballje e drejtpërdrejtë ndërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe homologut të saj serb, Marko Gjuriç. Në fokus ishte raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, si dhe çështja e sulmit në Banjskë dhe tensionet në veri të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz e cila ka përfaqësuar Kosovën në këtë takim, e ka filluar fjalimin e saj duke folur për zhvillim ekonomik në Kosovë.
Ajo ka thënë se Kosova është “ekonomi e fortë” dhe se Banka Botërore ka qenë ajo që e ka ranguar Kosovën si “top lidere në botë” për rritje ekonomike, shkruan lajmi.net.
“Fuqia jonë derivon nga populli jonë, nga demokracia jonë perëndimore, dhe nga ekonomia jonë e fortë. Për të 5-tën herë radhazi, Banka Botërore e ka ranguar Kosovën si top-lidere në ekonomi në rritje në Evropë, derisa vendet e tjera po kanë probleme. Projeksioni për rritjen tonë është përsëri rreth 4%. Investimet direkte të huaja po rriten, e bashkë me to edhe fitimet. Kosova është e para në Evropë dhe 3të në bota në Indeksin për Sundim të Ligjit”, tha ajo.
Megjithatë, ministrja Gërvalla përsëriti angazhimin e Kosovës për dialog dhe zgjidhje paqësore të çështjeve me Serbinë, duke lavdëruar përpjekjet ndërkombëtare për të lehtësuar procesin.
“Dua të lavdëroj punën e zotit Sorensen për përpjekjet që po bën në drejtim të rezultateve konkrete, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme nga Serbia,” u shpreh ajo.
Sipas saj, dialogu në Bruksel duhet të jetë i sinqertë dhe i orientuar drejt rezultateve, jo – siç tha ajo – “një mashtrim nga Vuçiqi”.
“Kosova ka interes të qartë për të reduktuar tensionet me fqinjët dhe për të çuar përpara një agjendë paqësore dhe evropiane,” përfundoi Gërvalla në fjalën e saj para OKB-së.
Ministrja Gërvalla ka folur në seancën e OKB-së edhe për sulmin terrorist nga Serbia në Banjskë, duke përsëritur kërkesën për drejtësi.
Ajo rikujtoi se në shtator të vitit 2023, Serbia kreu një sulm të nivelit ushtarak kundër Kosovës, duke dërguar paramilitarë të trajnuar në bazat e saj ushtarake dhe të pajisur me armatim të sofistikuar, me qëllim që të shkëpuste me forcë territorin verior të Republikës së Kosovës.
“Komandanti i atij sulmi ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën, i cili sot trajtohet si ‘mysafir nderi’ në Beograd. Kjo është mosndëshkim për agresion dhe për vrasje,” tha ministrja Gërvalla derisa i referohej Milan Radoçiqit, shkruan lajmi.net.
Ajo tha se sulmi në Banjskë ka qenë një akt i hapur i agresionit nga shteti i Serbisë kundrejt Kosovës, duke theksuar se edhe pse ka pasur prova, ky akt ka kaluar i pa ndëshkuar e kjo mosndëshkueshmëri mund të hap rrugë për sulme apo vepra të tjera që do të eskalonin situatën.
“Dua të nënvizoj edhe një herë, Banjska nuk ka qenë aksident, ka qenë akt i agresionit të hapur nga shteti i Serbisë ndaj një shteti fqinj, Republikës së Kosovës. Pastaj mosndëshkueshmëria ndikoi. Integriteti i infrastrukturës sonë kritike në nëntor të vitit të kaluar nuk ishte incident, ka qenë sulm kinetik i Serbisë ndaj një shteti fqinj. Të gjithë këtu edhe jashtë këtij objekti e di saktë se kush qëndron prapa këtyre veprimeve. E kemi parë në videoxhirimet nga Banjska, por nuk është që ka ndonjë pasojë. Po, kemi blerë drone por jo nga një vendet fqinje, nga një anëtar i NATO-s, Turqia, dhe po blejmë armatim nga aleatët tanë të NATO-s, nga partnerët tanë dhe që të jemi të sinqertë nuk jemi neutral, as nuk pretendojmë të jemi neutral sepse qëndrojmë përkrahë partnerëve tanë, aleatëve tanë dhe këtë e bëjmë në mënyrë krejt transparente dhe të qartë”, tha ajo.
Më tej, ajo kritikoi Serbinë për blerje të armatimit nga shtete si Rusia, Kina dhe Irani duke thënë se Kosova nuk bën një gjë të tillë.
Gjithashtu, ajo tha se situata në veri të Kosovës nuk është siç paraqitet, duke thënë se qeveria po angazhohet në dialog me qytetarët e veriut që të përmirësojë jetën e atyre qytetarëve
“Ne nuk blejmë armatim siç bën fqinji jonë verior, nuk blejmë armatim nga Rusia, as nga Kina, as nga Irani e vende të tjera të tilla. Institucionet shëndetësore nuk po mbyllen në veri, mu e kundërta, një dialog serioz me qytetarët tanë në komunat veriore që i përkasin pakicës serbe është në vazhdim e sipër mbi atë se si shëndetësia, arsimi, infrastruktura do të duken në Kosovë sepse ka të bëj me ta, çka ata kanë nevojë, si ata duan ta bëjnë jetën e tyre si qytetarë të Kosovës. Nuk duam e as nuk kemi nevojë për geto për qytetarët tanë serbë, na duhet integrimi, mbrojtja, përkrahja për ta dhe si qeveri e përgjegjshme po ndërmarrim veprime shumë serioze për të siguruar këto gjëra. Mu për këtë po ndërtojmë ura, rrugë, shkolla, spitale dhe jo mure kundrejt pakicave tona. Asnjë institucion i Kosovës e as ndërkombëtar apo ndonjë organizatë nuk e konfirmojnë pjesën më të madhe të raporteve të UNMIK-ut. Ajo që e tha Marko Gjuriq këtu nuk më befason fare dhe për ata që e kanë ndjekur në fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar atë që ka ndodhur në Jugosllavi do t’iu përkujtohet se saktësisht me këtë mënyrë, me këtë gjuhë Millosheviqi ka përgatitur luftat që ka nisur kundër Sllovenisë, pastaj Kroacisë, Bosnjës dhe në fund Kosovës.”, tha ajo.
E para e diplomacisë në vend, Donika Gërvalla ka përmendur edhe rastin e arrestimit të ish-zyrtarit policor Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe, duke e quajtur atë një akt hakmarrjeje ndaj atyre që mbrojtën Republikën e Kosovës nga sulmi në Banjskë, ndërsa Spahiu ndodhej jashtë vendit në kohën e sulmit.
“Nëse nuk ka pasoja për veprime të tilla, Serbia do të përshkallëzojë më tej agresionin. Sepse ky regjim nuk ka frikë nga fjalët, por vetëm nga veprimi,” theksoi ministrja Gërvalla, duke kërkuar edhe lirimin e ish-zyrtarit policor Arbnor Spahiut.
Në fund të fjalimit të saj, ministrja në detyrë i bëri ftesë të hapur anëtarëve të këshillit që të vizitojnë Kosovën dhe të shohin vetë situatën, duke thënë se Kosova është një storje e progresit të pabesueshëm.
“Më lini të bëj edhe një herë këtë ftesë para këtij organi të shquar që të vizitojë Kosovën. Që të flasin me qytetarët e Kosovës… ju ftoj që të vini që të flisni me këdo që dëshironi dhe ju ftoj që të bëheni vetë dëshmitarë të një rrëfimi të pabesueshëm të progresit që Kosova ka shënuar me ndihmën e paçmueshme të miqve dhe aleatëve tanë. Vizitoni Kosovën, flisni me kudo që dëshironi dhe vetë krijojeni opinionin dhe bëhuni dëshmitarë të një storje të pabesueshme të angazhimit ndërkombëtar në Kosovë.”, tha ajo.
Çfarë tha Serbia në këtë seancë të OKB-së?
Shteti i Serbisë në këtë seancë po përfaqësohet nga homologu i Gërvallës, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç i cili akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, se po udhëheq politika që synojnë dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmtojnë, siç tha ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që u arrit gjatë mandatit të parë”.
Siç pretendoi Gjuriç, komuniteti serb po përballet me “gërryerje sistematike” dhe një “betejë humane për mbijetesë”.
Ai akuzoi autoritetet kosovare për arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe sfidim të parimeve themelore të OKB-së.
Kryediplomati serb denoncoi sulmet me motive etnike, duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjëstruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit.
Gjuriç akuzoi gjithashtu Kurtin për “militarizim të Kosovës” dhe për blerjen e dronëve kamikazë, duke theksuar se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”.
Ministri serb ndër të tjera pretendoi se rreth 20 për qind të serbëve kanë lënë Kosovën në një “eksod të heshtur”, ndërsa vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar. Megjithatë, ai vlerësoi se fryma serbe mbetet e pathyeshme, duke u mbështetur në fitoren e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale.
Gjuriç në OKB i bëri thirrje Kosovës të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kujtuar se kjo nuk është kërkesë e Serbisë, por zotim i vetë Kosovës.
“Kurti po saboton këtë proces dhe po dëmton marrëveshjet dhe trashëgiminë e paqes të Presidentit Trump. Serbia nuk është pengesë – ne jemi pjesë e zgjidhjes”, tha Gjuriç.
Në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit, Gjuriç tha se serbët dhe shqiptarët nuk janë të destinuar për të qenë armiq, ndonëse shteti i tij kreu gjenocid në Kosovë 26 vite më parë.
Gjuriq në përmbyllje të takimit për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka reaguar ministres në detyrë, të Kosovës Donika Gërvalla, e cila tha se Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë.
Ai tha se presidenti i Serbisë asnjëherë nuk e ka dhënë ndonjë deklaratë të tillë.
Serbët dhe shqiptarët nuk janë të destinuar të jenë armiq. Pa marrë parasysh se sa i vështirë mund të jetë dialogu, dialogu është i vetmi opsion, dialogu është diçka që besojmë dhe dialogu duhet të jetë për një të ardhme më të mirë“, tha ai.
Ai përfundoi duke kërkuar nga Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare që të “dënojnë shkeljet e të drejtave të serbëve” dhe të garantojnë “paqen dhe bashkëjetesën e vërtetë në Kosovë”.
Përkrahje të madhe për Kosovën dhanë edhe ndërkombëtarët, të cilët kërkuan ekstradimin e Milan Radoiçiqit.
Zëvendëspërfaqësuesi Special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.
Deri ka përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, Shin ka bërë thirrje për masa efektive që çojnë në llogaridhënie.
“Kemi kaluar përvjetorin e dytë të incidentit në Banjskë. I bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd e Prishtinë, të marrin masa efektive transparente, për të sjellë kryerësit e ngjarjes para drejtësisë. Duke përfshirë edhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të krijuar tashmë. Llogaridhënia e plotë është e domosdoshme edhe për ngjarjen e vitit të kaluar në kanalin e Ibër–Lepencit. Jemi të brengosur sa i përket arrestimeve lidhur me shfaqjen e simboleve nacionale e fetare. Ritheksojmë nevojën për të respektuar kornizën ligjore që ekziston në Kosovë e të bëhet baraspeshimi i duhur midis lirisë së shprehjes e parandalimit të nxitjes së dhunës ndëretnike”, shtoi ai.
Ai ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, teksa ka theksuar se shpreson që “në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përçarjet politike do të tejkalohen”, ndërsa ka përsëritur shqetësimet rreth mbylljes së strukturave paralele në veri.
“Ritheksojmë brengën që bashkë me partnerët ndërkombëtarë kemi shprehur sa i përket ndikimit potencial të mbylljes së institucioneve të udhëhequra nga Serbia në kuptimin e qasjes në shëndetësi, arsim dhe kulturë. Autoritetet e Prishtinës kanë përmendur imperativa administrative ndaj këtyre masave dhe çështjet që janë komplekse. Është me rëndësi që autoritetet e Kosovës të angazhohen me të gjitha komunitetet para se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme të tyre”.
Ai theksoi rëndësinë e kthimit të serbëve në institucione të Kosovës. Përmendi edhe lirinë e mediave. Tha se mbetet nën presion. Ka përmendur se Asociacioni ka raportuar për sulme ndaj gazetarëve e po ashtu se transmetuesi publik po përballet me sfida ndaj pavarësisë së tij.
Që kriminelët e Banjskës të sillen para drejtësisë, sot në OKB ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Francës, Jay Dharmadhikari.
Në fjalën e tij gjatë seancës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Dharmadhikari tha se për Francën është e papranueshme që të njëjtit të mbeten në liri.
“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve. Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, deklaroi Jay Dharmadhikari.