Samiti i SEECP-së, Begaj pret nesër kryetarët e shteteve anëtare në Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të presë të hënën më 16 qershor në Tiranë, kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria. “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar…

Lajme
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të presë të hënën më 16 qershor në Tiranë, kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.
SEECP është një platformë e rëndësishme e Bashkëpunimit Rajonal dhe e Integrimit Evropian.
Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Samiti i SEECP që do të mbahet të hënën në Tiranë do të shërbejë për nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në BE.
Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.
Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.
SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.
Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997. /Rtsh