Raporti i DASH-it për trafikimin me njerëz në Kosovë: 13 viktima të identifikuara, evidentohen edhe mangësi

Kosova ka mbetur në Nivelin 2 në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026, pasi, ndonëse ka shënuar përparim në disa fusha, ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni. Sipas raportit, Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar…

Lajme

20/10/2026 10:52

Kosova ka mbetur në Nivelin 2 në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026, pasi, ndonëse ka shënuar përparim në disa fusha, ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni.

Sipas raportit, Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore, duke dënuar më shumë trafikantë dhe duke rritur financimin për shërbimet në mbështetje të viktimave dhe aktivitetet parandaluese.

Megjithatë, DASH-i ka evidentuar edhe mangësi, përfshirë rënien e numrit të personave të dyshuar për trafikim ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Po ashtu, ndonëse më shumë trafikantë janë dënuar me burgim, shumica e dënimeve kanë qenë nën minimumin e paraparë me ligj.

Raporti vë në pah edhe trajtimin e rasteve të lypjes së detyruar të fëmijëve. Sipas DASH-it, autoritetet nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e tilla si vepra të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore, ndërsa janë identifikuar mangësi në procedurat për zbulimin dhe mbrojtjen e viktimave.

Gjatë periudhës së raportimit, Qeveria e Kosovës ka identifikuar 13 viktima të trafikimit, krahasuar me 14 në vitin 2024. Të gjitha viktimat e identifikuara ishin shfrytëzuar seksualisht nga trafikantët. Dy prej tyre ishin gra dhe 11 vajza, ndërsa asnjëra nuk ishte shtetase e huaj.

Sipas raportit, Qeveria kishte në funksion procedurat standarde të veprimit dhe Mekanizmin Kombëtar të Referimit për identifikimin, mbrojtjen dhe referimin e viktimave. Megjithatë, vëzhguesit kanë raportuar mungesë udhëzimesh dhe përpjekjesh proaktive për identifikimin e viktimave të lypjes së detyruar, veçanërisht të fëmijëve.

Sa i përket ndihmës për viktimat, Qeveria ka ofruar strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime ligjore dhe ndihmë për riatdhesim, në bashkëpunim edhe me organizatat e shoqërisë civile. Në total, ndihmë u është ofruar 18 viktimave.

Raporti thekson se Qeveria nuk ka caktuar dëmshpërblime për viktimat si pjesë të aktgjykimeve penale. Megjithatë, Zyra për Ndihmë dhe Avokim të Viktimave ka paraqitur kërkesa për kompensim në dy raste pranë Fondit Shtetëror, ku secila viktimë ka përfituar nga 2.000 euro.

Sa i përket politikave parandaluese, DASH-i ka vlerësuar se gjatë zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për periudhën 2024–2025, Qeveria ka realizuar një vlerësim sipas të cilit pothuajse gjysma e objektivave të parapara janë përmbushur.

Raporti nënvizon se, pavarësisht përparimit të shënuar, mbeten sfida në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve, shqiptimin e dënimeve të përshtatshme dhe identifikimin e të gjitha viktimave të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore. /Lajmi.net/