Osmani shpreh mirënjohje për ushtarët amerikanë në West Point: Prezantuat lirinë për ne në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ata si simbol të lirisë për popullin e Kosovës. Gjatë një fjalimi në Thayer Hall të Akademisë Ushtarake West Point, Osmani theksoi rolin kyç të SHBA-së dhe ushtarëve të saj në çlirimin e Kosovës. Ajo përmendi…

Lajme

22/09/2024 19:14

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ata si simbol të lirisë për popullin e Kosovës.

Gjatë një fjalimi në Thayer Hall të Akademisë Ushtarake West Point, Osmani theksoi rolin kyç të SHBA-së dhe ushtarëve të saj në çlirimin e Kosovës. Ajo përmendi ndikimin e madh që SHBA ka pasur në historinë e vendit, duke theksuar se fëmijëria e saj u formua nga lufta dhe vuajtjet e shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit, që rezultuan në humbjen e mijëra jetëve të civilëve.

Osmani e përshkroi ushtarët amerikanë si përfaqësues të përsosmërisë dhe integritetit, duke nënvizuar se ata për kosovarët përfaqësonin më shumë se thjesht ushtarë. “Ushtarët amerikanë për ne përfaqësonin lirinë, demokracinë, paqen dhe sigurinë. Kosova nuk e kishte njohur lirinë deri kur ushtria amerikane dhe forcat e tjera ndërkombëtare erdhën në shpëtim,” tha ajo.

Presidentja përshkroi skenat e festës në rrugët e Kosovës, kur flamuri amerikan valëvitej mbi një popull të çliruar, duke theksuar se kjo përvojë do të mbetet pjesë e pandashme e trashëgimisë së Kosovës. Sipas saj, ky moment historik shënon lidhjen e thellë mes Kosovës dhe SHBA-së dhe është një testament i përkushtimit të SHBA-së për paqen dhe drejtësinë në botë.