Policia në gatishmëri për ndeshjen e madhe, qytetarët paralajmërohen për bllokime të përkohshme rrugësh
Policia e Kosovës njofton qytetarët se sot, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumin Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ky takim futbollistik ka një rëndësi të veçantë për vendin, ndaj dhe janë ndërmarrë masa të shtuar sigurie. Duke punuar ngushtë me institucionet përkatëse…
Lajme
Policia e Kosovës njofton qytetarët se sot, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumin Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ky takim futbollistik ka një rëndësi të veçantë për vendin, ndaj dhe janë ndërmarrë masa të shtuar sigurie.
Duke punuar ngushtë me institucionet përkatëse dhe organizatorët, Policia e Kosovës ka planifikuar angazhime të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”, me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.
Për lehtësimin e lëvizjes së delegacioneve dhe qytetarëve, si dhe për zhvillimin e rregullt të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve, si në vijim:
Rrugët lokale dhe nacionale: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit).
Gjatë largimit drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, Rruga Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).
Perimetri rreth stadiumit: Rruga Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe Rruga Fehmi Agani.
Policia bën të ditur se këto bllokime do të jenë të përkohshme, të përshtatura sipas lëvizjeve të delegacioneve dhe nevojave për lehtësimin e trafikut rrugor.
Në kuadër të sigurimit të mbarëvajtjes së ngjarjes, Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të:
Respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren;
Përdorin rrugë alternative kur është e mundur;
Të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Policia thekson se siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarjeje sportive është përgjegjësi e përbashkët, dhe fton të gjithë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik.
Kjo ndeshje historike është një moment i rëndësishëm për futbollin kosovar dhe për vendin në përgjithësi, ndaj bashkëpunimi i qytetarëve dhe respektimi i masave të sigurisë janë thelbësore për të garantuar një atmosferë festive, të sigurt dhe pa incidente. /Lajmi.net/