Policia jep informacion për aksionin në Pejë – 50 kg ar të sekuestruara, përfshirë orë dore ari
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e realizuar të premten në Pejë, ku janë kontrolluar disa argjendari. Në raportin policor jepen detaje për arin e sekuestruar, gjersa rasti i cilësuar si kontrabandë me mallra ka shkuar në procedurë të rregullt. Raporti i policisë: KONTRABANDË ME MALLRA Pejë 13.02.2026 – 16:30. Lidhur me veprën…
Lajme
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e realizuar të premten në Pejë, ku janë kontrolluar disa argjendari.
Në raportin policor jepen detaje për arin e sekuestruar, gjersa rasti i cilësuar si kontrabandë me mallra ka shkuar në procedurë të rregullt.
Raporti i policisë:
KONTRABANDË ME MALLRA
Pejë 13.02.2026 – 16:30. Lidhur me veprën e lartcekur, njësitë përkatëse gjatë kontrollit të shtëpive dhe lokaleve të dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, kanë gjetur dhe sekuestruar stoli ari rreth 4 kg e 713 gr, një orë dore të arit, 12000 €, 2410 franga zvicerane dhe 2400 dollar amerikan. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Pejë 13.02.2026 – 16:30. Lidhur me veprën e lartcekur, njësitë përkatëse gjatë kontrollit të shtëpive dhe lokaleve të dyshuarit mashkull kosovar, kanë gjetur dhe sekuestruar stoli ari rreth 44 kg e 470 gramë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërkaq lidhur me aksionin janë deklaruar edhe nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).
IQMT ka njoftuar se në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës, kanë realizuar të premten një aksion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara në Rajonin e Pejës.
Qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrolleve të detajuara në terren, inspektorët e tregut dhe zyrtarë të institucioneve pjesëmarrëse në këtë aksion kanë evidentuar shkelje të cilat kanë rezultuar me masat e mëposhtme:
– Ndalim i përkohshëm i mallit IQMT ka gjetur dhe ndaluar një sasi prej mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Ky mall do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave të rregullta ligjore.
– Sekuestrim i metaleve të çmuara Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara – ari, për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë arritur të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen e tyre.
Tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës si dhe pa dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme.
IQMT paralajmëron të gjithë operatorët ekonomikë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ndaj çdo parregullsie do të ndërmerren masa rigoroze ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.