Plagoset hetuesi i IPK-së në rrugën B- Policia jep detaje dhe i vihet në kërkim të dyshuarit

Një rast me të shtëna me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e sotme rreth orës 21:00 në Rrugën “B” në Prishtinë, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët. Sipas burimeve, i plagosuri është hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ndërsa rasti dyshohet se nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për…

Lajme

23/03/2026 21:31

Një rast me të shtëna me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e sotme rreth orës 21:00 në Rrugën “B” në Prishtinë, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.

Sipas burimeve, i plagosuri është hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ndërsa rasti dyshohet se nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për lajmi.net se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se një person (mashkull) ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit kanë nisur, ndërsa i dyshuari tashmë është identifikuar dhe është në kërkim. /Lajmi.net/