Pesë ditë protesta në sheshin “Zahir Pajaziti”, qytetarët mblidhen përsëri për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn
Ka nisur mbledhja e protestuesve në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në ditën e pestë të protestave të organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Protestat po mbahen për të kërkuar drejtësi për Arlindën dhe llogaridhënie institucionale për mënyrën se si u trajtua rasti i saj para vrasjes. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe…
Lajme
Ka nisur mbledhja e protestuesve në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në ditën e pestë të protestave të organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës së 25 tetorit nga kunati i saj në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit në Vitomericë të Pejës.
Pak para se të vritej, ajo kishte qenë në Polici ku ka lajmëruar se bashkëshorti i saj nuk po e respekton urdhërin e Gjykatës për të qëndruar dy metra larg saj, i cili po atë ditë u arrestua.
Me t’u kthyer në shtëpi, Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj me sëpatë.
Arlinda disa herë me radhë ka kërkuar mbrojtje nga shteti dhe siguri për ta takuar të birin e saj për të cilin kishte fituar kujdestarinë.
Për rastin e Arlindës është suspenduar kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe koordinatorja për dhunë në familje Arlinda Nallbani Gacaferri si dhe 11 zyrtarë policorë të stacionit policor në Pejë.
Në lidhje me këtë rast ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ndërkaq po kërkohet edhe dorëheqja e ministres së Drejtësisë Donika Gërvallës dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës. /Lajmi.net/