Pas raportimit të lajmi.net për veprimtarinë e Arianit Sllamnikut drejtuar fëmijëve me spektër të Autizmit, reagon Ministria e Shëndetësisë

Shkenca moderne punon çdo ditë për të kuptuar autizmin dhe për të zhvilluar trajtime të bazuara në prova, që ndihmojnë fëmijët dhe familjet e tyre në mënyrë të sigurt dhe efektive. Megjithatë, disa prindër në Kosovë po drejtohen drejt metodave të dyshimta për trajtimin e autizmit. Raportimet e fundit nga lajmi.net, tregojnë se disa individë…

Lajme

19/01/2026 21:17

Shkenca moderne punon çdo ditë për të kuptuar autizmin dhe për të zhvilluar trajtime të bazuara në prova, që ndihmojnë fëmijët dhe familjet e tyre në mënyrë të sigurt dhe efektive.

Megjithatë, disa prindër në Kosovë po drejtohen drejt metodave të dyshimta për trajtimin e autizmit. Raportimet e fundit nga lajmi.net, tregojnë se disa individë po ofrojnë ilaçe të destinuara për kafshë, duke pretenduar se ato mund të shërojnë autizmin.

Rasti i fundit tregon se me 4 mijë euro në xhep dhe premtime të dyshimta, prindërit e fëmijëve me autizëm po udhëtojnë drejt Gjilanit për të takuar Arianit Sllamnikun.

Teksa ai pretendon se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut, me medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.

Lidhur me këtë rast tani më ka reaguar edhe ministria e Shëndetësisë, e cila thekson se ka ndjekur me shqetësim këto raportime në media dhe rrjete sociale dhe u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të ofruara nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.

Po ashtu, Ministria ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.

“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thekson Ministria. /Lajmi.net/