Nis protesta e shqiptarëve në Preshevë- Për identitet dhe dinjitet

Me moton “Për identitet dhe dinjitet” ka nisur protesta e shqiptarëve në Preshevë. Shqiptarët në Luginë po protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia. Ata po kërkojnë njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova Kjo është protesta e dytë, pas asaj e cila…

Lajme

23/09/2024 13:28

Me moton “Për identitet dhe dinjitet” ka nisur protesta e shqiptarëve në Preshevë.

Shqiptarët në Luginë po protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia.

Ata po kërkojnë njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova

Kjo është protesta e dytë, pas asaj e cila u mbajt më 12 gusht.

Në protestë po marrin pjesë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.

Një nga organizatorët e marshit tha se “nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia padrejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve”.

Ajo tha se kërkesat janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshejve të deritashme, kthimi e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.

Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.

Ata marshuan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Kryetarja Ardita Sinani, ndaloi pranë ndërtesës së komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.