Nata e vështirë në Trepçë: Avaria la minatorët pa energji, 9 prej tyre dolën vetëm pas rikthimit të rrymës
Një avari në sistemin elektrik të Trepçës gjatë orëve të vona të së mërkurës kishte shkaktuar shqetësim për gjendjen e minatorëve që ndodheshin në nëntokë. Fillimisht u raportua se minatorët kishin mbetur të ngujuar në horizontin e 11-të të minierës, pasi ishte djegur një trafo kryesore. Komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi, kishte thënë…
Lajme
Një avari në sistemin elektrik të Trepçës gjatë orëve të vona të së mërkurës kishte shkaktuar shqetësim për gjendjen e minatorëve që ndodheshin në nëntokë.
Fillimisht u raportua se minatorët kishin mbetur të ngujuar në horizontin e 11-të të minierës, pasi ishte djegur një trafo kryesore.
Komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi, kishte thënë se ekipet emergjente ishin duke punuar për nxjerrjen e tyre.
“63 minatorë janë ngujuar. Trafo kryesore është djegur. Jemi duke punuar për nxjerrjen e tyre”, kishte deklaruar Ibishi.
Ndërkohë, Trepça ka reaguar lidhur me ngjarjen, duke dhënë detaje për avarinë dhe gjendjen e minatorëve.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, avaria ka ndodhur më 7 tetor rreth orës 19:30 në trafon e Tunelit të Parë, përkatësisht në sistemin 35 kV, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për Minierën me Flotacion në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë. Trepça ka bërë të ditur se 54 prej tyre kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë minatorë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50.
Trepça ka njoftuar se pas rikthimit të energjisë, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë.
Megjithatë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.
“Ekipet teknike janë duke punuar në sanimin e avarisë, përfshirë kontrollimin dhe zëvendësimin e pesë (5) siguresave mbrojtëse 6.3 kV, si dhe të elementeve të tjera përkatëse të instalimit elektrik”, thuhet në njoftimin e Trepçës.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se sanimi është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë.
Pas përfundimit të riparimeve dhe verifikimeve teknike e të sigurisë, Trepça ka thënë se do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit.
Trepça ka theksuar se ekipet teknike janë të angazhuara për rikthimin e situatës në normalitet dhe se për zhvillimet e mëtejshme do të njoftojë me kohë. /Lajmi.net/