Morën pjesë në tubime politike, IPK rekomandon suspendimin e Nexhmi Krasniqit dhe inicion procedurë disiplinore ndaj një majori

Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit të disa lajmeve në media për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor Nexhmi Krasniqi dhe një majori.  IPK përmes një komunikate për media ka bërë thirrje për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike…

Lajme

08/01/2025 11:01

Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit të disa lajmeve në media për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor Nexhmi Krasniqi dhe një majori. 

IPK përmes një komunikate për media ka bërë thirrje për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore, shkruan lajmi.net. 

“Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim, dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik. IPK vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbështetjen e një Policie ku puna edhe angazhimi i saj bazohet nga vlerat e integritetit, neutralitetit dhe shërbimit të drejtë ndaj të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Dje, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është suspenduar rreshteri në kuadër të hetimeve për Krime Ekonomike në Prishtinë, Idriz Gashi pasi që u pa i afërt me zyrtarë të PDK-së në tubimin elektoral.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare pas publikimit të lajmeve në medie ka filluar grumbullimin dhe analizimin e informacioneve për këtë rast. Zyrtari policor është suspenduar nga Policia dhe IPK është njoftuar për këtë suspendim përderisa veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore”.

Nenin 49 i Policisë së Kosovës ua ndalon zyrtarëve policorë të kenë afërsi politike me asnjërën parti dhe ua ndalon atyre të marrin pjesë në fushata politike.

“Pjesëmarrja në fushata elektorale për zgjedhje në detyrë publike” dhe “pjesëmarrja aktive në cilëndo parti politike, ndjekja e udhëzimeve nga cilado parti politike në kryerjen e detyrave policore; paraqițja me uniformë policore në çfarëdo tubimi politik, përveç kur është në detyrë zyrtare policore”, thuhet në nenin 49 të Policisë së Kosovës. /Lajmi.net/