Me paga të ulëta e pa sigurime shëndetësore – 170 policë dorëzuan uniformën nga janari i vitit të kaluar
Numër i madh i zyrtarëve policorë kanë vendosur që të braktisin uniformat e tyre. Mbi betimin që kishin dhënë në ceremoninë e diplomimit ata nuk kanë pranuar të vazhdojnë tutje, por kanë zgjedhur që të tërhiqen. Si shkak i pakënaqësive të shumta të krijuara në këtë institucion, policë të shumtë janë tërhequr prapa, duke mos…
Lajme
Numër i madh i zyrtarëve policorë kanë vendosur që të braktisin uniformat e tyre.
Mbi betimin që kishin dhënë në ceremoninë e diplomimit ata nuk kanë pranuar të vazhdojnë tutje, por kanë zgjedhur që të tërhiqen.
Si shkak i pakënaqësive të shumta të krijuara në këtë institucion, policë të shumtë janë tërhequr prapa, duke mos pranuar të jenë pjesë e sigurisë së vendit.
170 policë kosovarë kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga detyra si zyrtar policor në dy vitet e fundit.
Arsyet mund të jenë të shumta, teksa kujtojmë se tash e dy dekada, Policia e Kosovës nuk ka sigurime shëndetësore, shkruan lajmi.net.
Për lajmi.net, nga Policia e Kosovës kanë thënë se që nga data 01.01.2024 e deri 15.10.2025, 170 policë kanë hequr dorë nga uniforma.
“Numri i dorëheqjeve nga 01.01.2024 deri 15.10.2025 është 170: Gjatë periudhës 01.01.2024-31.12.2024 kane dhënë dorëheqje 97 zyrtarë. Gjatë periudhës 01.01.2025 – 15.10.2025 kanë dhënë dorëheqje 73 zyrtarë”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Teksa një nga arsyet kryesore të trendit të heqjes dorë nga uniforma vlerësohet të jetë mungesa e kushteve të punës.
Ndërkaq në vitin 2023, Njësitë e Specializuara të Policisë kishin protestuar para objektit të Qeverisë, duke kërkuar rritjen e shtesës për rrezikshmëri.
Policia e Kosovës që vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët e Kosovës ndër vite, brenda vetes bart probleme të shumta të cilave zgjidhje nuk u gjeti dhe nuk iu ofroi asnjëra Qeveri.
Derisa në vend bëhej “luftë” që paga minimale të bëhet 500 euro- në fakt zyrtarët policorë vazhdojnë të kenë paga shumë pak më të larta se kaq.
Një zyrtar policor paguhet nga 660 euro në 724 euro, pagë kjo shumë e ulët për rrezikun që i paraqitet çdoherë.
Anipse janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve, këta zyrtarë policorë vazhdojnë të vlerësohen krejt pak.
Kësisoj ndikimi i pakënaqësive është shprehur edhe me numrin e lartë të të larguarve brenda një periudhe prej më pak se dy vitesh.
Zyrtarët policorë vazhdojnë të punojnë me paga të ulëta, pa sigurime shëndetësore, shpesh herë pa uniforma rezervë, në disa raste pa pajisje të mjaftueshme e shumë herë me orare të tejzgjatura. /Lajmi.net/