Mbrojtja prezanton prova të reja në rastin “Subvencionet 1”, prokurori i kundërshton

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtja e të akuzuarve i ka paraqitur Gjykatës disa shkresa e video-inicizime, për të cilat propozoi që të merren parasysh si prova të pranueshme. Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, i ka dorëzuar Gjykatës faturën e lëshuar nga Eko…

Lajme

18/11/2024 17:50

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtja e të akuzuarve i ka paraqitur Gjykatës disa shkresa e video-inicizime, për të cilat propozoi që të merren parasysh si prova të pranueshme.

Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, i ka dorëzuar Gjykatës faturën e lëshuar nga Eko Consulting Sh.P.K. Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Shkodra, avokati Skender Musa i ka dorëzuar gjykatës një video-inicizim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto prova i ka kundërshtuar prokurori Rafet Halimi, duke thënë se fatura e lëshuar nga Eko Consulting nuk ka të bëjë asgjë me aktakuzën për të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Prokurori, si provë e kundërshtoi edhe video-incizimin, duke thënë se është kryer në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Prokurori Halimi tha se ai video-incizim ishte bërë nga persona të paautorizuar, e gjithashtu gjykatës nuk i është dorëzuar edhe pajisja me të cilën është realizuar video-incizimi.

Kështu, prokurori i propozoi gjykatës që ky video-incizimi mos të merret si provë e pranueshme për shkak që nuk i plotëson kushtet për të qenë e pranueshme nga gjykata.

Në anën tjetër, avokati Musa ka thënë se video-incizimi është provë shumë e rëndëssishme madje edhe provë kundërthënëse me provat tjera të prezantuara.

Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi e pyeti avokatin se pse nuk e ka propozuar këtë provë në fazat e mëhershme, e avokati tha se për shkak që kanë qenë të sigurt se Prokuroria nuk do ta trajtonte si provë dhe do t’i humbte vlerat e provës, kanë vendosur që ta paraqesin direkt në gjykatë.

Po ashtu, edhe avokati Rudari e mbrojtësi i të akuzuarit Berat Nika, Feim Alaj e kanë aprovuar propozimin e video-incizimit që të merret si provë në këtë gjykim.

Në këtë seancë, Prokuroria ka kundërshtuar edhe propozimin e disa shkresave nga mbrojtja e të akuzuarit Kushtrim Zogaj, avokati Granit Vokshi, duke thënë se janë në kundërshtim me të gjitha provat tjera dhe masat e veçanta tjera hetimore që janë kryer me urdhër të gjykatës.

Avokati Vokshi tha se kundërshtimet të cilat i ka paraqitur Prokuroria në raport me provat e prezantuara nga ata, janë arsyet pse këto prova duhet të merren parasysh nga gjykata pasi që këto prova shkojnë në kundërshtim me narrativën e ndërtuar nga Prokuroria dhe dëshmitë e dëshmitarëve mbi të cilat Prokuroria e mbështet aktakuzën.

Po ashtu, në këtë seancë edhe mbrojtësja e të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokatja Ardiana Krasniqi i ka propozuar gjykatës si prova e-mailet e përkthyera në gjuhën shqipe, përmes të cilave tha se mund të vërehet se gabimet teknike e korrigjimet kanë ndodhur nga kompania Bio n Check.

Këto e-maile, Prokuroria i ka kundërshtuar në tërësi për faktin se këto shkresa nuk tregojnë asgjë dhe janë në kundërshtim me provat që i kanë pranuar nga selia qendrore e Bio n Check gjatë bashkëpunimit juridiko-ndërkombëtar.

Lidhur me propozimet e mbrojtjes, trupi gjykues ka marrë aktvendim ashtu që ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Speciale për leximin e deklaratave të të akuzuarve Afrim Abazi, Florim Nimanaj, Hasan Maxharraj dhe Almir Abdurrahmani, të dhëna në Prokurori.

Po ashtu, ka aprovuar edhe propozimet e mbrojtjes, përveç propozimit të avokatit Skender Musa për administrimin e video-incizimit, të cilin trupi gjykues e ka refuzuar si provë thelbësisht të pambështetshme.

Kjo për faktin se Gjykata nuk e posedon mjetin me të cilin është bërë video-incizimi për të vërtetuar kohën kur është bërë, e po ashtu që mbrojtja nga deklarimi i tyre e ka pasur në posedim këtë incizim që nga muaji shkurt 2024 e që gjatë kësaj kohe është dëgjuar edhe dëshmitari bashkëpunues Bekim Shala, e i njëjti nuk është ballafaqur në lidhje me këtë provë.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti,  për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.