“Mandati ka devijuar nga qëllimi fillestar”, Deliu-Kodra kërkon që Avokati i Popullit të raportojë për shqetësimet rreth Speciales
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur një sërë shqetësimesh për funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke kërkuar që Avokati i Popullit të raportojë para Komisionit për Legjislacion lidhur me gjetjet e raportit të tij. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka bërë të ditur…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur një sërë shqetësimesh për funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke kërkuar që Avokati i Popullit të raportojë para Komisionit për Legjislacion lidhur me gjetjet e raportit të tij.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka bërë të ditur se, së bashku me kolegun Tahiri, kanë kërkuar që Avokati i Popullit të ftohet në komision për të shpalosur shqetësimet e evidentuara në raportin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas saj, raporti ngre pikëpyetje serioze për pavarësinë, mbikëqyrjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në proceset gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
“Veçanërisht shqetësues është vlerësimi i Avokatit të Popullit se mandati i Dhomave të Specializuara ka pësuar devijim nga qëllimi fillestar”, ka theksuar Deliu-Kodra.
Deputetja e PDK-së ka thënë se raporti ngre çështje që lidhen drejtpërdrejt me transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve dhe garancitë për një gjykim të drejtë e të paanshëm.
Ajo ka ngritur shqetësimin edhe për mungesën e mbikëqyrjes demokratike nga institucionet e Kosovës, ndonëse Dhomat e Specializuara janë themeluar në bazë të vendimeve kushtetuese dhe ligjore të vendit.
Një tjetër çështje që, sipas saj, kërkon sqarim është nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në origjinën dhe besueshmërinë e materialeve të përdorura në proceset gjyqësore, veçanërisht atyre që kanë ardhur nga Serbia.
Deliu-Kodra ka rikujtuar se këto shqetësime vijnë pas publikimit të raportit të Avokatit të Popullit, ndërsa ka përmendur edhe raportin britanik, i cili, sipas saj, ka ngritur shqetësime për të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së.
Në fund, deputetja ka theksuar se drejtësia për ish-krerët e UÇK-së mbetet një përgjegjësi e vazhdueshme për PDK-në, duke kërkuar angazhim të organizuar, argumente profesionale dhe përkushtim shtetëror. /Lajmi.net/